Lidhje

Paraqitet buxheti i ri, Cani: "Duhet të kthejmë qëndrueshmërinë ekonomike"


Qeveria Rama paraqiti sot në parlament projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm dhe paketën e re fiskale që e shoqëron, me ambicjen kryesore për të kthyer qëndrueshmërinë e treguesve makro-ekonomikë dhe për të shlyer një pjesë të madhe të borxheve dhe të detyrimeve ndaj biznesit privat. Për këtë arsye, sipas ministrit të financave, Shkëlqim Cani, financimet më të mëdha në vitin 2014 janë pagesa për borxhin, për paga dhe pensione, për pushtetin vendor dhe për detyrime të prapambetura.

Borxhi zë afro 30 për qind të shpenzimeve, sepse qeveria ka deklaruar se nuk mund t'u kërkojë bizneseve taksa dhe tatime, kur ajo vetë nuk u ka shlyer paratë për ndërtimet publike. Detyrime të prapambetura e parashikuara të shlyhen janë për ndërtime në infrastrukturë dhe si detyrimet tatimore. Pas shpenzimeve për borxhet, fushat që përfitojnë më shumë nga projekt-buxheti i ri dhe me një rritje të madhe janë mbrojtja sociale me 28%, arsimi dhe shëndetësia me nga 8 për qind. Krahas mbrojtjes sociale, shëndetësisë dhe arsimit, në projekt-buxhetin e ri krahasuar me një vit më parë përfituan më shumë fonde mbrojtja e mjedisit dhe rendi e siguria. Ndërsa rënie kanë pësuar financimet për strehimin, për mbrojtjen” si edhe për kulturën.

Opozita shprehu zhgënjmin e saj për vonesën e paraqitjes së buxhetit të ri, duke e quajtur si mungesë transparence. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se shqetësuese është mungesa e transparencës edhe mungesa e investimeve. Zoti Basha tha para grupit të tij parlamentar se PD do të përpiqet me të gjitha energjitë në kohën e mbetur që të korigjojë me alternativat e veta projekt-buxhetin difektoz që ka ardhur nga socialistët. Sipas tij, qeveria po e rrëzon ekonominë me duart e saj, dhe po ngjall mosbesim në qarqet e biznesit, që nuk bëjnë dot asnjë plan investimesh.

Në byronë e parlamentit u bë një debat i gjatë mes pozitës dhe opozitës për këtë vonesë dhe opozita kërkoi më shumë kohë për të studiuar paketën fiskale. Ndërsa tani radhën e kanë komisionet parlamentare për të shqyrtuar projekt-buxhetin në detaje sipas sektorëve. Në replikat e deritanishme po përplasen jo vetëm shifra të ndryshme por edhe pikëpamje të ndryshme mbi rrugët e rritjes ekonomike, e cila parashikohet të jetë mbi 2 për qind. Socialistët dhe demokratët kanë qasje dhe ide kontradiktore mbi rrugët e zhvillimit ekonomik të vendit, dhe janë po aq nihilistë mbi rezultatet e mëparshme dhe aftësitë e njëri tjetrit për të drejtuar reformat me saktësi dhe shpejtësi më të madhe.

XS
SM
MD
LG