Lidhje

Parlamenti shqiptar voton për paketën fiskale


Në Shqipëri parlamenti ka nisur që prej paradites procesin e votimit të buxhetit dhe paketës fiskale të propozuar nga qeveria për vitin e ardhshëm

Me votat e shumicës së majtë u hodhën poshtë amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, të cilat ishin bazuar në premtimet elektorale të Partisë Socialiste. Opozita ka kundërshtuar me forcë buxhetin dhe paketën fiskale të cilat parashikojnë një rritje të borxhit publik, rritjen e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh dhe të një sërë taksash dhe akcizash.

Debat i gjatë është zhvilluar për rritjen me 10 lekë të taksës së qarkullimit e cila pasqyrohet direkt në çmimin për litër të karburanteve. Ndërsa opozita këmbëngul se ajo do të sjellë një rritje zinxhir të shërbimeve apo produkteve të tjera, përfaqësuesit e qeverisë shprehen të sigurt se nuk do të ketë ndikim.

Nga ana e saj Lëvizja Socialiste për Integrim u tërhoq nga propozimi për të mbajtur të pandryshuar tatimin mbi fitimin për sektorin e fasonëve, pasi kishte marrrë premtimin nga qeveria për hartimin brenda pak muajve të një pakete të plotë në mbështetje të këtij sektori.
XS
SM
MD
LG