Në Kaliforni, zjarrfikësit vazhduan sot betejën me zjarret, një prej të cilëve në perëndim të kryeqytetit të shtetit ka djegur mbi 24 mijë hektarë tokë që nga dita e shtunë. Rreth 9 mijë ndërtesa kërcënohen nga flakët.
Governatori Jerry Brown shpalli gjendjen e emergjencës në dy distrikte. Urdhëri i tij përfshiu mobilizimin e ushtarëve të Gardës Konbëtare për t’i ardhur në ndihmë mijëra banorëve që janë detyruar të evakuohen.
Rreth 1 mijë e 500 zjarrfikës po përpiqen të venë nën kontroll 12 zjarre që kanë shkatërruar 400 shtëpi. Katër zjarrifikës kanë marrë plagë nga djegia në përleshjet e tyre me flakët. Ndërkohë, është gjetur trupi i një gruaje 72-vjeçare të sëmurë me sklerozë në rrënojat e shtëpisë së saj në rajonin Napa Valley, të njohur për prodhimin e verës. Zjarrfikësit nuk mundën të hyjnë në lagjen ku ajo banonte, të përfshirë nga flakët.
Në Kaliforni ka patur një mungesë të madhe rreshjesh dhe javën e kaluar ky shtet u prek nga temperaturat e larta, që e kanë lehtësuar përhapjen me shpejtësi të flakëve.