Lidhje

Çeçenia, një histori konflikti


Çeçenia, njëra nga disa republikat e vogla me shumicë myslimane në Kaukazin Verior të Rusisë, ka qenë skenë e dy konflikteve të përgjakshme midis rebelëve separatistë dhe qeverisë ruse gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 1994, presidenti i atëhershëm rus, Boris Jelcin dërgoi 100.000 trupa ruse në Çeçeni për të rrëzuar udhëheqësin separatist të rajonit, Xhohar Dudajev. Ndërhyrja ushtarake solli një konflikt që zgjati dy vjet dhe që shkaktoi vdekjen e disa mijëra trupave ruse dhe dhjetëra mijëra civilëve çeçenë. Dudajevi u vra nga një sulm ajror rus në prill të vitit 1996.

Në vitin 1999, pasardhësi i Jelcinit, Presidenti Vladimir Putin, ndërhyri përsëri ushtarakisht në Çeçeni, kur militantët islamikë me bazë në Çeçeni ndërmorën një inkursion të armatosur në rajonin fqinj të Dagestanit. Konflikti që pasoi u mori jetën së paku 5.000 trupave ruse dhe 25,000 deri në 50,000 civilëve.

Rebelimi çeçen fillimisht kishte një natyrë kryesisht nacionaliste, por me kalimin e viteve mori një karakter gjithnjë e më islamik. Udhëheqësi i krahut radikal të kryengritjes, Shamil Basajev, bashkëpunonte me ekstremistë ndërkombëtare xhihadistë si Ibn el-Hatab, një shtetas saudit që kishte lidhje lidhje të ngushta me Osama bin Ladenin e Al-Kaidës. El-Hatab kishte luftuar kundër trupave sovjetike në Afganistan në vitin 1980 si dhe në Çeçeni në mesin e viteve 1990.

Në vitin 2002, militantët çeçenë hynë në një kinema të Moskës dhe, kur forcat ruse të sigurisë ndërhynë, 129 pengje u vranë. Në vitin 2004, militantët besnikë të Basajevit pushtuan një shkollë në qytetin Beslan të Osetisë së Veriut, një tjetër republikë e Kaukazit Verior rus. Më shumë se 330 njerëz, gjysma prej të cilëve fëmijë, u vranë.

Po në vitin 2004, shpërthimet në disa metro të Moskës që lanë dhjetëra të vdekur u cilësuan si vepra të personave vetvrasës nga Kaukazi i Veriut.

Më 24 gusht 2004, dy avionë të linjave ruse shpërthyen në ajër pothuajse në të njëjtën kohë. Autoritetet thanë më vonë se autore ishin dy gra çeçene. Në shtator, Basajevi mori përgjegjësinë për rrëzimin e avionëve.

Basajevi u vra në korrik, 2006.

Megjithëse militantët islamikë kanë qenë më pak aktivë në Çeçeni kohët e fundit, kryesisht për shkak të sundimit me dorë të hekurt të udhëheqësit pro-Moskës, Ramzan Kadirov, ata vazhdojnë të kryejnë sulme duke vënë në shënjestër policinë dhe zyrtarë të tjerë në republikat fqinje të Kaukazit të Veriut, duke përfshirë Dagestanin, Ingushetinë dhe Kabardino-Balkarinë.

Ata kanë vazhduar të godasin gjithashtu objektiva ruse jashtë Kaukazit të Veriut: Në janar 2011, një militant islamik nga Ingushetia kreu një shpërthim vetvrasës në aeroportin Domodedovo të Moskës që shkaktoi vdekjen e 37 vetave.
XS
SM
MD
LG