Lidhje

Çerski, një qytet i harruar rus mbi rrethin arktik

  • Zëri Amerikës

Çerski, një qytet i harruar rus mbi rrethin arktik

Çerski, një qytet i harruar rus mbi rrethin arktik

Një rrugë e papërshkueshme për tetë muaj në vit, e mbuluar nga akulli dhe bora, ku kalojnë aq pak makina sa nuk ka as semafor apo një sinjal stop, Çerski është mishërim i izolimit. Dikur aty ishte një burg për armiqtë e Kremlinit dhe tani kjo zonë e Siberisë verilindore nuk ofron pothuajse asnjë shpresë për banorët që t’i shpëtojnë kësaj gjendjeje pasi nuk kanë të ardhurat financiare të zhvendosen në zona me klimë më të ngrohtë.

5 mijë banorët e Çerskit jetojnë në skajet e natyrës dhe ndjehen të brakstisur nga udhëheqësit e tyre politikë. Ata janë 6 mijë kilometra larg Moskës dhe 4 orë me avion larg qytetit më të afërt, Jakuck. Në veri është deti i Siberisë Lindore dhe përreth është tundra e ngrirë, malet e zhveshura, liqenet, toka e tharë dhe pyje të dendura.

Në qytezë mund të hysh vetëm nga ajri ose deti në verë. Një linjë ajrore ka avionë dy herë në javë nga Jakucki me avionë me 30 vende. Bagazhet vendosen pas kabinës së pilotit dhe shpesh bien në radhën e parë të vendeve. Për disa muaj në dimër, kur lumenjtë e ngrirë bëhen rrugë, kamionët bëjnë një udhëtim një javë të gjatë nga Jakucki për të sjellë artikujt e domosdoshëm për të jetuar. Shumë nga 12 mijë banorët që kishte qyteti që pas rënies së Bashkimit Sovjetik para 20 vjetësh kur bizneset dhe fabrikat e vogla u mbyllën pasi humbën mbështetjen e shtetit. Është një jetë ë vështirë për ata që kanë mbetur dhe që do të kishin ikur po të kishin mundur.

“Kjo nuk është jetë, por mbijetesë, thotë Ksenia Grigorova, një edukatore kopshti. Si mund të jetojmë kështu? Ne kemi vetëm probleme duke nisur që nga kujdesi shëndetësor. Nuk ka mjekë, nuk ka specialistë. Kemi probleme me shtëpitë. Është e pamundur të jetosh këtu. Duhet të ikim”.

Jeta është jo vetëm e vështirë, por edhe shumë e shtrenjtë. Buka kushton 40 rubla (1.30 dollarë), dy ose tre herë më shumë sesa në Moskë.

Fluturimi për në Jakuck kushton 16, 125 rubla (530 dollarë) vetëm për të shkuar ose për të ardhur, më shumë se rroga mujore për shumicën e punëtorëve.

Megjithatë pavarësisht nga problemet, disa banorë janë stoikë për situatën e tyre.

“Ne jemi të kënaqur me ato që kemi. Ne jemi veriorë, jemi të durueshëm, thotë Jekaterina Zviagintseva. Kemi pasur periudha kur ngrohja ishte ndërprerë për gjithë ato fshatra. Askush nuk na nxorri nëpër gazeta, nuk na evakuuan megjithëse ka gra dhe fëmijë në shtëpi me tulla. E shihni që ne jetojmë në shtëpi me tulla? Atëherë ishte temperatura minus 50 gradë. Si jetuam? Zgjati dy vjet. Tani jemi të kënaqur që kemi ujë dhe ngrohje”.

Shitësja Galina Tarasiuk shpjegon se buka kushton shtrenjtë për shkak të çmimit të lartë të miellit, por shton se shija është shumë e mirë.

Situata si ajo e Çerskit janë të zakonshme në pjesën që rusët e quajnë Veriu i Skajshëm, zona e akullt mbi Rrethin e Arktikut.

Të paktën 2.1 milionë vetë, ose 18 për qind e popullsisë janë larguar që nga viti 1990 sipas Shërbimit Federal të Statistikave. Shifra do të ishte edhe më e lartë nëse nuk do të ishte rritja e çmimeve të naftës dhe burimeve të tjera natyrore që tërheqin punëtorë të rinj në vende pune me rroga të larta.

Rreth 10. 5 milionë vetë jetojnë në brezin e gjerë të tokës së akullt në kufirin verior të Rusisë nga kufiri me Finlandën e deri në Oqeanin Paqësor.

Për shumë prej tyre, zhvendosja në jug ku kostoja e strehimit është e lartë, është e pamundur.

Më 1 janar 2011 hyri në fuqi një ligj që jep 7 miliardë rubla ose 228 milionë dollarë subvencione për të blerë pasuri imobiliare në vende me klimë më të ngrohtë.

Mbi 200 mijë vetë kanë aplikuar, sipas parlamentit rus. Megjithatë kritikët thonë se kompensimi është i pamjaftueshëm dhe procedurat e përzgjedhjes nuk janë transparente.

Disa e kujtojnë me nostalgji kohën e Bashkimit Sovjetik, kur ushqimi ishte i subvencionuar dhe edhe mësuesit e shkollave kishin rroga të mjaftueshme për të shkuar një herë në muaj në Moskë.

Lidia Martinova punonte dikur në një shtypshkronjë, por ajo u mbyll, ashtu si edhe ndërmarrjet e tjera të vogla me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Në një pasdite dimri, ajo hedh grepin e peshkut në një vrimë në akullin e lumit Kolima. Ajo rrit perime në një serrë të vogël, mban pula dhe në verë mbledh luleshtrydhe në pyll. Por ajo thotë se shumicën e ushqimeve ia sjell e bija nga Jakucki.

“Dikur ishte shumë më e lehtë. Unë e rrisja vajzën vetëm dhe një herë në dy vjet shkonim për pushime. E çoja në det. Tani ka 15 vjet që nuk kam qenë gjëkundi, përveç një rasti kur sigurimet shëndetësore paguan për një udhëtim në Jakuck. Çdo udhëtim që këtu është i shtrënjtë”.

Çerski e ka marrë emrin nga exploruesi polak Jan Çerski. Deri në vitin 1991 ishte i mbyllur për të huajt. Për shkak të largësisë dhe kufijve të paruajtur, Rusia ende e konsideron një zonë ushtarake ku vizitorët, përfshirë qytetarët rusë, kanë nevojë për leje për të hyrë. Nën sundimin e Josif Stalinit, qindra të burgosur dërgoheshin në Zelioni Mis dhe në Ambarçik, një kamp pune atje pranë. Është një kohë që njerëzit nuk duan ta kujtojnë. Zoja Rubnik drejton muzeun provincial të Nizhnekamskit, ku vetëm një sallë e vogël i kushtohet Gulagut. Ajo thotë se asnjë arkivë nuk është mbajtur nga ajo kohë, dhe askush nuk e di sesa vetë kanë vdekur nga i ftohti, urija, apo puna e rëndë.

“Gulagu ekzistoi deri në vitet 50. Shumë të burgosur u dërguan në vende të tjera dhe të tjerët u liruan. Shumë mbetën këtu dhe krijuan familje. Ne morëm objekte prej tyre por ende nuk e dimë sa njerëz kanë qenë në këtë kamp”.

Shumë ndërtesa u braktisë kur popullsia u reduktua por vështirësi të tjera po rëndojnë këtë komunitet me ngrohjen globale që mesa duket po shkakton probleme. Shkrirja e tepërt e tokës së ngrirë solli shkarjen e themeleve të një ndërtese që tani është e braktisur.

XS
SM
MD
LG