Lidhje

Hetimi për CEZ-in, debate në parlament

  • Armand Mero

Propozimi i opozitës për hetim ndërkombëtar. Shumica nuk pranon që të përfshihet në punimet e parlamentit me procedurë të përshpejtuar dhe paralajmëron votën kundër

Në Shqipëri parlamenti u përfshi sot sërish në debatet lidhur me cështjen e CEZ-it, ndërsa diskutohej kërkesa e opozitës për një ligj i cili të lejojë një hetim me prokurorë ndërkombëtarë. Opozita e konsideroi si të domosdoshëm, në kushtet kur sipas saj të dyshuar janë krerët më të lartë të shtetit. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci, ju përmbajt idesë se vendi ka institucionet e duhura për hetime, dhe nëse do të duhej të thirreshin prokurorë të huaj atëherë të hetohej dhe për disa cështje të tjera, tha ai. Nga ana e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta hodhi poshtë cdo akuzë për përfshirjen e tij në aferën CEZ-DIA.

Cështja Cez vazhdon të jetë në qendër të polemikave politike, ndërsa opozita këmbëngul për nevojën e një hetimi që të drejtohet nga prokurorë të huaj. Për të djathtën, si marrëveshja e arritur nga qeveria shqiptare për zgjidhjen me mirëkuptim të përplasjes me kompaninë ceke Cez, ashtu dhe afera e kontratës mes Cez-it dhe kompanisë DIA, për mbledhjen e borxhit, përbëjnë sipas saj një ndër skandalet më të mëdha korruptive. Opozita këmbënguli në miratimin e ligjit të propozuar prej saj për hetim ndërkombëtar. “Paqja dhe stabiliteti i vendit e kanë jetik këtë hetim. Nëse ju nuk pranoni hetimin, opozitës i lind e drejta të ndërmarrë cdo hap tjetër për të mbrojtur interesin publik. Ju ftoj zoti Ruci që ta votojmë hetimin ndërkombëtar. Nuk ka gjë më urgjente se kjo. Nëse e bëjmë këtë veprim do të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësisë përpara qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha.

Qëndrimi i socialistëve u paralajmërua që dje nga kryeministri Edi Rama në intervistën për Zërin e Amerikës. Sipas tij “Shqipëria ka një legjislacion të vetin ku ka hapësirë për të bërë hetim për këdo dhe për gjithçka”. Kësaj linje ju përmbajt dhe zoti Ruci i cili megjithatë shtoi se nëse do të duhej të thirreshin prokurorë të huaj atëherë të përfshiheshin dhe në hetimin e cështjeve të tjera të mëdha që ka kaluar vendi. Dhe për këtë tha ai të kerkohet ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. “T’u bëjmë një kërkesë. Ne shqiptarët kemi disa problem të cilat nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim vetë. Ose nuk kemi besim te njëri-tjetrin, pa bërë fajtor askënd. Dhe të radhisim, tre-katër cështje, CEZ-in, nga A-ja te ZH-ja, cështja e dytë, Gërdeci, nga fillimi deri në fund, “21 Janari”, nga fillimi në fund, “Rruga e kombit”. Nëse doni dhe ju një të pestë…”

Gjatë debateve të sotme, opozita i mëshoi cështjes së kontratës mes CEZ-it dhe DIA-s, ku është përfolur emri i kryetarit të parlamentit Ilir Meta. Ky i fundit mbajti një fjalë të gjatë ku hodhi poshtë akuzat ndaj tij për lidhje me pronarin e saj. “Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe s’i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë të jetë e qartë për ju dhe cilindo tjetër. Së dyti, nëse më gjeni një letër, si ajo e ish ministrave tuaj, që justifikon kërkesën e vetë ERE-s, për problemet që kishte CEZ-i, që automatikisht pastaj do të conte në një vendim që do të dëmtonte interesat e KESH-it, nuk keni nevojë fare ju të më kërkoni doërheqjen. E jap vetë unë. Kur nuk keni prova e fakte, mos u konsumoni kaq shumë duke stërpërdorur Tom Doshin e Dritan Priftin”.

Në fund të seancës, shumica votoi kundër kërkesës që projektligji i opozitës të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar pasi kjo sipas saj “ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit”. Propozimi për një hetim ndërkombëtar do të ndjekë tanimë rrugën normale, dhe cështja e CEZ-it duket se do të vazhdojë të jetë në qendër të debateve edhe për një kohë të gjatë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG