Lidhje

Korrupsioni në Kinë

  • William Ide

Ndërkohë që Kina vazhdon përpjekjet kundër rrushfetit, autoritetet e kanë përqendruar vemendjen tek ata zyrtarë të korruptuar që i kanë pjestarë të familjes dhe pasuritë jashtë vendit. Këto përpjekje janë bërë shkak për një debat brenda vendit. Debatohet se sa mund të jetë numri i zyrtarëve të tillë dhe cilat janë shanset që ata të kapen.

Në Kinë, përpjekjet kundër korrupsionit janë përqendruar tek të ashtuquajturit "zyrtarë lakuriq".

Kjo është nofka që u është vënë kuadrove komunistë të korruptuar, të cilët dërgojnë gratë ose fëmijët jashtë shtetit dhe i nxjerrin fitimet e tyre të paligjshme jashtë.

Çështja nuk është e re, por ajo është bërë tani më publike, sepse disa politikanë të lartë që janë vënë nën hetime, del se i kanë fshehur pasuritë jashtë vendit.

Zhu Jiangnan është profesore e Universitetit të Hong Kongut:

"Shumë familjarë të zyrtarëve kinezë, bëjnë një jetë luksi jashtë shtetit. Por me pagën e rregullt të zyrtarëve të qeverisë është e vështirë që ata ta përballojnë këtë lloj jetese, prandaj njerëzit pyesin: Mos ka këtu korrupsion? Ku i gjejnë paratë?"

Qeveria po përpiqet të sqarojë se sa i përhapur është ky problem dhe rajonet e vendit kanë hartuar një studim të brendshëm. Por deri tani vetëm provinca Guangdong ka guxuar të raportojë se ka gjetur zyrtarë të tillë.

Kjo fushatë ka ndikim në Kinë, ku shumë njerëz besojnë se qeveria është kundër kësaj praktike tepër të përhapur.

"Nuk ka zyrtar që nuk është i korruptuar. Ata nuk mund ta mbajnë pasurinë në Kinë, sepse ajo mund të zbulohet dhe t'u merret," thotë një banor i Pekinit.

"Në Kinë, meqenëse çiftet kanë vetëm një fëmijë, ata i japin fëmijës gjithçka. Në këtë rast ata i dërgojnë bashkë me gratë e tyre për të jetuar jashtë vendit, sepse mendojnë se kështu do të ishin më të sigurt. Kjo është një shenjë mosbesimi në sistemin kinez."

Presidenti Xi Jinping u ka kërkuar kuadrove të ndryshojnë stilin e jetesës dhe ka paralajmëruar të rinjtë se të punosh si shërbyes civil kjo nuk është një karrierë për të fituar para.

Zoti Xi është vlerësuar në Kinë për këto qëndrime.

"Nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh te njerëzit e thjeshtë, te rroga apo te jetesa ime, por kjo ndihmon vendin dhe imazhin e partisë," thotë ky banor.

Çështja e zyrtarëve të zhveshur ka ringjallur debatin se sa pak di publiku në Kinë për pasuritë e zyrtarëve në përgjithësi.

Kina ende nuk ka një ligj që t'u kërkojë zyrtarëve të deklarojnë pasuritë, pavarësisht thirrjeve të forta të aktivistëve.

"Ata thonë se për ta rregulluar këtë problem, duhet bërë deklarimi i pasurive, përndryshe është e pamundur që publiku t'i mbikëqyrë këta zyrtarë," thotë profesorja Zhu Jiangnan.

Por pa programe të tilla pilot për zyrtarët e nivelit të ulët, është e paqartë se cilat janë planet e partisë për pushtetarët e lartë.

XS
SM
MD
LG