Lidhje

Kina ndjek me vëmendje vizitën e presidentit Obama në Birmani


Barack Obama është presidenti i parë amerikan që viziton Birmaninë. Vizita është pjesë e një turneu në Azi që ka për qëllim forcimin e pozitave të Uashingtonit në Azi, veprim i cili ka ngritur shqetësime në Pekin rreth ndikimit të madh të Shteteve të Bashkuara në rajon. Megjithatë, sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se shpreson që vizita e Presidentit Obama në Birmani do të nxisë paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajonin e Azisë Lindore.

Zyrtarët amerikanë thonë se vizita e presidentit Obama është një mirënjohje për vendimin e udhëheqësve birmanezë për fillimin e reformave dhe demokratizimin e vendit, pas dekadave të tëra shtypjeje.

Tom Donilon, këshilltar i presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare, thotë se presidenti beson se angazhimi është mënyra më e mirë për të nxitur reforma të mëtejshme.

“Ka shumë punë për t’u bërë, dhe ne nuk duam të humbasim këtë moment i cili ofron një mundësi për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe ecjen në rrugën drejt demokratizimit”.

Zoti Donilon thotë se Shtetet e Bashkuara po inkurajojnë autoritetet birmaneze të thellojnë bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar dhe shoqërinë civile në vend. Kjo është pjesë e politikës amerikane që administrata e presidentit Obama e quan një “ribalancim drejt Azi-Paqësorit”, një lëvizje që ka për synim shtimin e pranisë ushtarake, diplomatike dhe tregtare të Shteteve të Bashkuara në Azi. Por kjo ka shkaktuar ankth në Kinë.

“Kjo është një përpjekje për të bindur Kinën se shtimi i pranisë amerikane është pozitiv për Kinën”.

Michael Pillsbury është analist në Institutin Hudson dhe ka punuar për ish-presidentët Ronald Reagan dhe George Herbert Walker Bush.

Ai thotë se udhëheqësit kinezë e shohin vizitën në Birmani si një tjetër dëshmi të mashtrimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me qëllimet e tyre në Azi.

“Shtetet e Bashkuara në thelb po prezantohen para të rinjve kinezë, studentëve kinezë dhe kam frikë edhe para zyrtarëve kinezë si një vend dinak, i rrezikshëm, shumë i koordinuar dhe i pamëshirshëm që në një mënyrë vetë Kina do të donte ta kopjonte atë”.

Profesor Xiang Lanxin është drejtues i Fakultetit për Studimin e Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shanghait.

“Çdo veprim që qeveria amerikane po merr, përfshirë edhe vizitën e Obamës në Birmani, tani shikohet si një lëvizje e qartë gjeo-strategjike. Kjo nuk është një përpjekje për promovimin e demokracisë në Birmani. Synimi është heqja e Birmanisë nga kufijtë strategjik të Kinës. Ata vazhdimisht thonë se këto veprime nuk kanë të bëjnë asgjë me Kinën. Por kinezët mendojnë pikërisht të kundërtën. Përdorimi i kësaj gjuhe është një përpjekje për të zvogëluar barrën psikologjike në anën e Kinës. Por kjo strategji nuk po funksionon”.

Michael Pillsbury thotë se qëndrimi i Kinës ndaj vizitës së Presidentit Obama në Birmani tregon se strategjia e re amerikane në Azi ka lëkundur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit.

“Ajo që unë dhe profesori Xiang po përpiqemi të themi është ideja se në të dyja anët ka një shkallë të mosbesimit, madje edhe paranoje, ku secili është fokusuar në ngjarjet dhe aktivitetet që në fakt mund të jenë pa qëllime të këqija, por që asnjëri nuk mund t’i vërtetojë ato”.

Zyrtarët amerikanë thonë se ata kanë diskutuar me homologët e tyre kinezë për reformat që ata duan të shohin në Birmani dhe besoj se ky është një objektiv i përbashkët që është në interes të të gjithëve në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG