Lidhje

Klinton: Angazhimi amerikan për Izraelin, i palëkundur


Klinton: Angazhimi amerikan për Izraelin, i palëkundur
Klinton: Angazhimi amerikan për Izraelin, i palëkundur

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit, ndërkohë që i bëri thirrje shtetit hebraik të ndërmarrë hapa të vështirë drejt paqes. Sekretarja Klinton, gjatë një fjalimi para grupit amerikan lobist pro izraelit, AIPAC, tha se status kuoja në rajon nuk mund të vazhdojë.

Mosmarrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit mbi planet e ndërtimit të banesave në Jeruzalemin Lindor ishte platforma e fjalimit të sekretares Klinton.

Jashtë ndërtesës ku mbahej takimi, demonstruesit anti-izraelitë vazhdonin protestën.

Por zonja Klinton foli me tone pajtimi duke shprehur mbështetjen amerikane për Izraelin.
Ajo e cilësoi "të patundur" angazhimin amerikan ndaj Izraelit

“Për presidentin Obama, për mua dhe gjithë administratën, angazhimi për sigurinë e Izraelit dhe të ardhmen e tij është i patundur dhe i përhershëm”.

Por ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli dhe palestinezët të bashkëpunojnë me njeri tjetrin, ndërkohë që i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell përpiqet t’i përqëndrojë negociatat në çështjet kryesore të procesit të paqes.

Konflikti i vazhdueshëm mes Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, tha sekretarja Klinton, kërcënon të ardhmen e Izraelit si një shtet hebraik i sigurtë dhe demokratik. Ajo tha se status kuoja nuk mund të vazhdojë.

“Ka një rrugë tjetër, rruga drejt sigurisë dhe begatisë për Izraelin, popullin palestinez dhe të gjithë popujt e rajonit. Por kjo do të kërkojë që të gjitha palët, përfshirë edhe Izraelin, që të ndërmarrin disa hapa të vështirë por të domosdoshëm”.

Këtë fjalim Sekretarja Klinton e mbajti dy javë pasi Israeli njoftoi se do të ndërtonte apartamente të reja në Jeruzalemin Lindor. Njoftimi përkoi edhe me vizitën në Izrael të nënpresidentit Xho Bajdën, duke krijuar një farë tensioni në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Që atëhere, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i ka siguruar Shtetet e Bashkuara se bisedimet izraelito-palestineze me ndërmjetësinë e Uashingtonit mund të zgjidhin çështjet kryesore e të vështira, përfshirë edhe Jeruzalemin.

Por kryeministri Netanjahu tha gjithashtu se Izraeli nuk do të ndalojë ndërtimet në Jeruzalemin Lindor, të cilin palestinezët duan ta kenë kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Sekretarja Klinton tha se kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit për këtë çështje nuk kishin lidhje me statusin përfundimtar të Jeruzalemit, por thjesht me krijimin e besimit në bisedimet mes dy palëve.

“Ndërtimet e reja në Jeruzalemin Lindor ose në Bregun Perëndimor minojnë pikërisht besimin e ndërsjellë dhe rrezikojnë suksesin e bisedimeve, që janë hapi i parë drejt negociatave të plota për të cilat të dyja palët thonë se janë të interesuara dhe kanë nevojë. Këto ndërtimet nxjerrin në dritë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, që vende të tjera të rajonit shpresojnë të shfrytëzojnë”.

Sekretarja Klinton tha se grupi militant palestinez Hamas, i cili kontrollon Gazën, duhet të dënojë dhunën dhe të njohë Izraelin nëse dëshiron të ketë rol në procesin e paqes.

Sekretarja e Shtetit tha gjithashtu se nuk ekzston një kërcënim më i madh strategjik për Izraelin se sa një Iran me armë bërthamore.

“Një Iran me armë bërthamore do të përforconte klientelën terroriste të këtij vendi dhe do të nxiste një garë armatimesh, që mund të destabilizonte gjithë rajonin. Kjo është e papranueshme. Prandaj dua ta bëj fare të qartë: Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mos e lejojnë Iranin të zotërojë armë bërthamore”.

Ajo tha se sanksionet që do të kishin efekt mbi Iranin, janë pikërisht synimi i Shteteve të Bashkuara. Madje ajo theksoi se në komunitetin ndërkombëtar ekziston një konsensus në rritje për t’i bërë presion Iranit që të ndryshojë kurs. (ze)

XS
SM
MD
LG