Lidhje

SHBA, seancë mbi Ballkanin Perëndimor

  • Festim Gashi

20 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Ballkani Perëndimor vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike dhe politike dhe ka nevojë për vazhdimin e angazhimit amerikan, u tha dje në një seancë dëgjimore në kongres. Në seancën e nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euroazinë, Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee tha se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është nën kërcënim nga agresioni rus në Ukrainë dhe veprimet terroriste të grupit ISIL në Siri dhe Irak. Kolegu Festim Gashi ndoqi seancën dhe përgatiti kronikën.

20 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, në Ballkanin Perëndimor është shënuar përparim, por megjithë përparimet e arritura në 20 vitet e fundit, rajoni vazhdon të ndeshet me shumë probleme dhe ka nevojë për një angazhim më të fortë amerikan, tha kryetari i nënkomisionit të Dhomës Së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euroazinë Dana Rohrabacher.

“Ndërsa rajoni ka bërë disa hapa të mëdhenj përpara në dy dekadat e fundit, përfshirë pavarësinë e Kosovës, ritmi i përparimi duket së është ngadalësuar dhe madje në disa raste ka patur hapa prapa”.

Ndërkohë, Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, Hoyt Yee, tha se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e vizionit të Shteteve të Bashkuara për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Por ai tha se ky vizion tani është nën kërcënim nga agresioni rus në Ukrainë dhe veprimet terroriste të ISIL-it në Siri dhe Irak:

“Sot ky vizion është nën një kërcënimin më të madh që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe aktivitetet terroriste të ISIL-it në Siri dhe në Irak kanë theksuar rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit perëndimor. Nga kënvështrimi i këtij konteksti të ri, puna jonë me partnerët e Ballkanit për të krijuar një hapësirë për tregje të lira dhe lirinë e njerëzve është më e rëndësishme së më parë”.

Zoti Yee tha se vendet e Ballkanit perëndimor janë të shqetësuar nga veprimet e Rusisë në Ukrainë.

“Si shumë vende të tjera në Evropë, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë parë me shqetësim atë që Rusia po bënë në Ukrainë, së pari për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës, fuqinë dhe integritetin e rregullit evropian”.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Yee tha se shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj si një shtet i plotë sovran dhe i pavarur. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e një shteti shumë etnik me institucione demokratike gjithëpërfshirëse. Zoti Yee tha se është bërë përparim i konsiderueshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovë që të krijojnë Gjykatën e Posaçme për krimet e luftës:

“Ne gjithashtu mbështesim themelimin e Gjykatës së Posaçme për të trajtuar akuzat e paraqitura në raportin e vitit 2011 të Këshillit të Evropës dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovë që të ndërmarrin hapa për miratimin e kornizës së nevojshme ligjore”.

Duke folur për Shqipërinë, Zëvendës-ndihmës Sekretari Yee tha se Shqipëria ka tashmë statusin e vendit kandat për në Bashkimin Evropian dhe javën e kaluar Shtetet e Bashkuara nënshkruan me Shqipërinë një deklaratë të Partneritetit Strategjik, e cila nënvizon fusha të rëndësishme bashkëpunimi, si sigurinë, sundimit e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike. Por, zoti Yee tha se Shqipëria vazhdon të ndeshet me sfida të mëdha:

“Megjithatë, ende mbetet shumë punë për t’u bërë. Pavarësishte marrjes së statusit të vendit kandidat nga BE, Shqipëria ndeshet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”.

Kryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, Joe Dioguardi gjatë dëshmisë së tij bëri thirrje për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai tha se asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa një përfshirje të Shteteve të Bashkuara. Zoti Dioguardi bëri thirrje për nxjerrjen e Kosovës nga izolimi dhe njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia. Ai gjithashtu tha se statusi i shqiptarëve në Maqedoni duhet të përmirësohet.

“Të gjitha vendet e BE-së duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ta nxjerrin atë nga izolimi përmes krijimit të mundësive ekonomike. Sa i përket Maqedonisë, shqiptarët atje duhet të trajtohen si një partner i barabartë në një kushtetutë të re të këtij shteti, tani të dështuar, ose ne duhet të ndeshemi me opsionin e federalizimit, i cili do t’u lejonte shqiptarëve të kenë kontroll administrativ, social, dhe financiar të fatit të tyre si pjesë e një federate maqedonase të përbërë nga shqiptarët etnik dhe maqedonasit”.

Pjesëmarrësit ishin të një mendimi se Shtetet e Bashkura duhet të vazhdojnë angazhimin e tyre në Ballkan për të ndihmuar rajonin në përpjekjet e tij për t’u integruar në NATO dhe në BE.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG