Lidhje

Taksa bankare në Qipro shkakton krizë në tregjet botërore


Tregjet finaciare në mbarë botën pësuan rënie sot si pasojë e paketës së shpëtimit për Qipron që përfshin një taksë të depozitave që tronditën investitorët. Banorët e Qipros janë të zemëruar se depozitat e tyre bankare janë subjekt i një takse që do të paguhet vetëm një herë, pjesë e një marrëveshjeje ndihme ndërkombëtare.

Ministrat e financave të eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e parashikuan taksën si pjesë e një marrëveshjeje për t'i dhënë Qipros 13 miliardë dollarë për të shmangur falimentimin. Lajmi mbi këtë plan taksash uli sot ndjeshëm vlerën e aksioneve në tregun aziatik. Analistët financiarë ndërkombëtarë shprehin shqetësim se ky plan mund të ketë pasoja për tregjet ndërkombëtare dhe se mund të rrezikojë ekonomitë e brishta të Evropës.

"Bursa e Hong Kongut ra gati me 500 pikë sot, për shkak të shqetësimeve se situata në Qipro mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e vendeve të eurozonës. Gjithashtu parashikimet e përkeqësuara në tregjet globale shkaktuan shitje në masë mëngjesin e sotëm."

Sipas planit të vendeve të eurozonës dhe FMN-së, një taksë prej 9,9 për qind do të paguhet për depozitat me 131 mijë dollarë e lart, ndërsa depozitat nën 131 mijë dollarë do të tatohen me 6,75 për qind. Taksa, që do të paguhet vetëm një herë, godet të gjithë ata që kanë para në bankat e Qipros, duke përfshirë edhe shtetasit e huaj.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti taksën e propozuar "të padrejtë, joprofesionale dhe të rrezikshme". Bankat dhe korporatat ruse kanë miliarda dollarë në llogari bankare në Qipro.

Taksa duhet të shkojë më parë në Parlament për miratim. Ndërkohë, si pasojë e krizës financiare në Qipro, tregjet e aksioneve në mbarë botën kanë pësuar rënie.
XS
SM
MD
LG