Lidhje

Shpërthim i përgjakshëm pranë Damaskut


Një shpërthim i fuqishëm bombe në lagjen Douma të kontrolluar nga kryengritësit, në periferi të Damaskut, ka lënë të vrarë mbi 12 vetë. Sipas njoftimeve të medias arabe, shpërthimi ka plagosur edhe dhjetëra të tjerë. Aktivistët e opozitës akuzojnë Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit për sulmin.

Video amatore tregojnë ekipet e ndihmës së shpejtë duke transportuar një fëmijë të përgjakur. Në rrënojat e shkaktuara nga shpërthimi dukeshin trupa, ndërkohë që një makinë ishte përfshirë nga flakët. Të rinj thërrisnin duke kërkuar për viktima mes mbetjeve të sulmit.

Zjarrfikësit shuan flakët në zonën e mbuluar nga tymi i dendur. Dëshmitarët thonë se shpërthimi goditi një treg të frekuentuar. Numri i viktimave nuk mund të konfirmohej, por kanalet satelitore arabe njoftuan të paktën 12 të vdekur.

Sulmi u ndërmor në lagjen Douma të kontrolluar nga kryengritësit, në rajonin verilindor të kryeqytetit të njohur si Ghouta Lindore. Media qeveritare siriane nuk e njoftoi menjëherë shpërthimin.

Rami Abdel Rahman i organizatës Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha për Zërin e Amerikës se aktivistët besojnë që Shteti Islamik për Irakun dhe Levantin (ISIL) është autori i sulmit, si rezultat i tensioneve të fundit mes këtij grupi ekstremist dhe rrjeteve të tjera që veprojnë në zonë.

Shpërthimi u krye në një kohë ku luftëtarët e ISIL-it u po përlesheshin me kryengritësit sirianë në qytetin kufitar al-Bukamel. Televizioni al-Arabiya njoftoi se luftëtarët e Ushtrisë Siria e Lirë dhe Frontit al-Nusra arritën dje në drekë të dëbonin luftëtarët e ISIL-it nga qyteti. Zëri i Amerikës nuk mund ta konfirmonte këtë pretendim.

Video amatore tregojnë komandantin e kryengritësve nga Fronti al-Nusra duke u betuar për besnikëri ndaj ISIL-it. Burime opozitare thonë se dezertimi i disa luftëtarëve kryengritës dhe bashkimi i tyre me ISIL-in shkaktoi konfliktin disa ditë më parë. Sipas njoftimeve, ekstremistët e ISIL-it kontrollojnë qytetin Qaim në anën irakiane të kufirit, pranë qytetit al-Bukamel në anën siriane.

Hilal Khashan, pedagog i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Bejrutit thotë se ekstremistët e ISIL-it shpesh akuzohen për lidhje me regjimet e Iranit dhe Sirisë, pasi organizojnë sulme kundër luftëtarëve të opozitës dhe jo kundër forcave të qeverisë:

"ISIL-i gjithmonë ka qenë i angazhuar në sulme kundër opozitës, por jo në konflikt të armatosur kundër forcave të regjimit sirian. Nëse analizon natyrën e veprimeve të tyre, të vetmit që përfitojnë janë regjimi iranian dhe ai sirian”.

Zoti Khashan thotë se natyra brutale e ISIL-it dëshmon ideologjinë e tyre themelore. Ai thotë se anëtarët e ISIL-it besojnë se bota është në prag të një rendi të ri dhe tani po zhvillohet lufta mes të mirës dhe të keqes. Sipas tij, ISIL-i beson se me luftime do të arrijnë të çlirojnë botën nga e keqja për të sjellë një rend që e konsiderojnë si mishërimi i së mirës.

XS
SM
MD
LG