Lidhje

DASH: Kosova vazhdon bashkëpunimin me SHBA për kundërterrorizmin


Shkup, Reagime mbi raportin e DASH-it

Shkup, Reagime mbi raportin e DASH-it

Gjendja në veri vazhdoi ta kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin në këtë rajon, thuhet në raportin e DASH

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin mbi terrorizmin për vitin 2012. Në pjesën për Kosovën, raporti thotë se gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Prishtinës vazhdoi të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për çështjet që lidhen me kundërterrorizmin, por gjendja në veri e kufizoi aftësinë e saj për të ushtruar autoritetin në këtë pjesë të vendit.

Raporti i Departamentit të Shtetit ve në dukje se gjatë vitit 2012 qeveria e Kosovës shënoi përparim në shumë aspekte lidhur me luftën kundër terrorizmit. Por, sipas raportit, gjendja në pjesën veriore vazhdoi ta kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë rajon, ku KFOR-i dhe EULEX-i janë përgjegjës për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt si dhe për forcimin e sundimit të rendit e ligjit, duke përfshirë edhe atë në kufi.

Megjithëse Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë drejtpërsëdrejti në çështjet e kundërterrorizmit, të dyja qeveritë kanë punuar për të zbatuar një plan për postblloqe të përbashkëta në muajin dhjetor, thuhet në raport.

Parlamenti i Kosovës miratoi një kod të ri penal dhe Kod të ri të Procedurës Penale në dhjetor, të cilët hyri në fuqi më 1 janar, 2013. Ligjet e reja ruajnë modelin e OKB-së në legjislacionin penal kundër terrorizmit, që ishte edhe baza e kodit të mëparshëm. Kodi i ri penal e rrit dënimin për krime të lidhura me terrorizmin. Ai lejon ndjekjen ligjore të terroristëve, edhe nëse një akt i planifikuar terrorist nuk arrin të ekzekutohet. Kodi i ri i procedurës penale u jep autoriteteve të Kosovës një elasticitet më të madh për të hetuar veprat penale në fazat e planifikimit për të parandaluar krimet dhe aktet terroriste, thotë raporti i Departamentit të Shtetit.

Në dhjetor, vazhdon raporti, Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e marrëveshjes së arritur në muajin shkurt me Serbinë dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja për menaxhimin e integruar të kufirit. Kosova dhe Serbia me mbështetjen e zyrtarëve të EULEX-it hapën katër pikëkalime që do të menaxhohen bashkërisht.

Pavarësisht nga kjo, KFOR-i dhe EULEX-i janë të kufizuar në aftësinë e tyre për të mbyllur kalimet ilegale të kufirit në Kosovë, të cilat lejojnë shmangien e kontrolleve kufitare dhe doganore. Si pasojë, kufiri mbetet poroz dhe trafikimi i njerëzve dhe mallrave është i përhapur.

Në muajin dhjetor, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi disa ndryshime në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, të cilat forcojnë legjislacionin e miratuar në vitin 2010. Amendamentet, nëse miratohen, do të ndihmojnë Kosovën të zbatojë plotësisht standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit.
XS
SM
MD
LG