Lidhje

Debati rreth marrëveshjes me Iranin


Ka të ngjarë që puna e vështirë e cila çoi në një marrëveshje të përkohshme që kufizon programin bërthamor të Iranit të rezultojë në bisedime edhe më të vështira për një marrëveshje të përhershme. Ndërkohë, marrëveshja e përkohshme është duke u debatur, dhe kritikat ndaj saj nuk kanë munguar në Shtetet e Bashkuara dhe në Izrael.

Sipas një sondazhi të opinionit publik, dy të tretat e amerikanëve e mbështesin marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti atë një “gabim historik.”

“Izraeli nuk varet nga kjo marrëveshje. Ne nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë një regjim që kërkon shkatërrimin e Izraelit të gjejë mënyrën për t’ia arritur qëllimit. Ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore.”

Marrëveshja e përkohshme i kërkon Iranit të ndalë pasurimin e uraniumit në nivelet e tanishme, të ndërpresë punën në centrifuga, dhe të ndalë veprimtarinë e madhe në reaktorin bërthamor Arak, i projektuar për prodhimin e plutoniumit.

Marrëveshja pezullon gjithashtu disa sanksione ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe ndalon sanksione të reja gjatë periudhës 6 mujorëshe të saj.

Reagimet në Kongres janë të ndryshme. Disa demokratë dhe shumë Republikanë, si Senatori Lindsey Graham, thonë se kjo është një marrëveshje e keqe.

“Kjo marrëveshje nuk i kërkon Iranit të mbyllë reaktorin e plutoniumit, dhe as të eliminojë aftësinë e tij për pasurimin e uraniumit, i cili mund të shërbejë për krijimin e një arme bërthamore. Marrëveshja i jep atyre 7 miliard dollarë. Ata marrin paratë kunse ne nuk përfitojmë gjë.”

Megjithatë, saksionet e mbetura do të jenë më të mëdha se ato që u hoqën, sipas Daryl Kimball, shefit ekzekutiv të Shoqatës së pavarur për Kontrollin e Armëve në Uashington.

“Lehtësimet e sanksioneve nga të cilat do të përfitojë Irani gjatë periudhës gjashtë-mujore të marrëveshjes kanë një vlerë më pak se 10 miliard dollarë. Ndërkohë, 15 – 20 miliard dollarë asete iraniane do të bllokohen gjatë kësaj periudhe.”

Gjithashtu, Irani nuk do të jetë në gjendje të zgjerojë eksportet e naftës.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje e përhershme brenda gjashtë muajve, thotë zoti Kimball, faza e parë mund të zgjatet, ose Kongresi mund të votojë për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Iranit.

Sanksionet ekonomike qëndrojnë dhe mund të forcohen, jo të lehtësohen, thotë senatori Republikan Saxby Chambliss.

“I kemi besuar iranianët më parë, ashtu si koreano-veriorët rreth çështjeve bërthamore, por çfarë kemi përfituar nga kjo?”

Saksionet e mëtejshme do të ishin kundër-produktive, thotë zoti Kimball.


“Ajo do të ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes, dhe iranianët kanë thënë se ata nuk do të kryejë hapat e tyre, kufizimet në programin bërthamor për të cilat kanë rënë dakord.”

Kështu që, ndërsa negociatorët punojnë drejt një marrëveshjeje të plotë, zyrtarët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të debatojnë mbi vlerën e marrëveshjes së përkohshme.

XS
SM
MD
LG