Lidhje

Debati mbi masat e nevojshme ekonomike për vendet në krizë


Votuesit në Francë dhe në Greqi, të zemëruar nga masat shtrënguese ekonomike, votuan kundër qeverive në pushtet. Megjithëse shkurtimet e shpenzimeve qeveritare dhe të shërbimeve publike nuk gëzojnë popullaritet dhe madje shkaktojnë probleme ekonomike, vetë ekspertët që mbështesin masat shtrënguese, thonë se deficitet buxhetore të këtyre vendeve janë edhe më keq se më parë. Në vazhdim ju njohim me debatin që po zhvillohet për këtë çështje nga ekspertët e ekonomisë.

Masat shtrënguese ekonomike kanë shkaktuar zemërim tek një numër i madh grekësh.

Ata protestuan ndaj planeve për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e taksave, në mënyrë që qeveria të paguante huatë e marra. Borxhet e reja ishin të nevojshme për të përballuar deficitet buxxhetore kur shpenzimet qeveritare i kalonin të ardhurat.

Paul Krugman, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, thotë se masat shtrënguese nuk janë mënyra e duhur.

“Kemi patur një shtim të paparë të papunësisë, shkurtime të paprecedent të mallrave dhe shërbimeve”.

Studjuesja e Universitetit George Mason, Veronique de Rugy, nga ana tjetër, thotë se përvoja e Japonisë tregon se rritja e shpenzimeve qeveritare rrit koston, por nuk nxit rritjen ekonomike të një vendi.

“Për vite të tëra me radhë, japonezët u përpoqën të dilnin nga recesioni, nga ngecja, ose mos-rritja ekonomike, duke shpenzuar pa masë dhe duke hyrë në borxhe, por kjo teori nuk funksionoi.”

Gjatë recesioneve, shumë qeveri rrisin shpenzimet për infrastrukturën publike për të krijuar vende pune dhe për të nxitur rritjen ekonomike afatgjatë. Por studjuesja De Rugy thotë, se në se shpenzimet qeveritare ndihmojnë rritjen ekonomike gjatë recesioneve, ato nuk janë të nevojshme në kushtet kur ekonomia është e fortë.

“Në periudhat e rritjes ekonomike, shpenzimet qeveritare duhen shkurtuar. ...Por kjo nuk ndodh asnjëherë.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se qeveritë që shpenzojnë më tepër se sa u lejon buxheti i tyre, do të vijë dita që do t’u duhet të paguajnë për huatë që kanë marrë për të mbuluar deficitet. Mbrojtësit e teorisë së masave shtrënguese argumentojnë se pa shkurtimin e shpenzimeve, huadhënësit do të humbisnin besimin se huatë do t’u ktheheshin. Kjo humbje besimi do të thotë se nuk do të jepen hua të tjera, ose ato do të jenë me interes më të lartë. Mendimi i zonjës Merkel është i rëndësishëm për këtë çështje, sepse Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës dhe kontribuesi kryesor në huatë e emergjencës që përdoren për financimin e fqinjëve me probleme ekonomike. Por profesori Krugman thotë se masat shtrënguese kanë dështuar.

“Tashmë e kemi përvojën e masave shtrënguese dhe e shohim rezultatin e tyre... Në vend që të japin rezultat pozitiv, këto masa e kanë tkurrur ekonomitë e vendeve përkatëse.”

Disa votues në Gjermani mund të kenë të njëtin mendim me ekonomistin Kruger. Partia politike ku bën pjesë zonja Merkel humbi në zgjedhjet e ditëve të fundit dhe argumentet lidhur me shpenzimet dhe masat shtërnguese ishin pjesë e debatit politik para zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG