Lidhje

Shqipëria i paraqet notë proteste Serbisë


Ministria e jashtme e Shqipërisë i paraqiti sot një notë proteste qeverisë serbe, ku theksoi se hedh poshtë me vendosmëri baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar. Nota e protestës iu dorëzua ambasadorit serb Miroljub Zaric. Në të thuhet se deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane, por ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

Reagon Ministri Bushati
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

“Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare.”- theksohet në notën e protestës së ministrisë shqiptare të punëve të jashtme.

Ajo kujtoi se asnjëherë në histori Shqipëria nuk njihet as si destabilizuese e rajonit dhe as si agresore kundër popujve liridashës, ndërsa “e kaluara mund të rëndojë në ndërgjegjen dhe gjendjen emotive të zyrtarëve të lartë serbë”.

Ministria e jashtme pohoi se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për antarësim në Bashkim Europian, ndjek politikën e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit demokratik në rajon, dhe beson që integrimi euroatlantik është rruga e përbashkët paqësore e popujve dhe shteteve në rajonin tonë, larg ndasive dhe ksenofobisë.

Disa nga deputetët në parlamentin shqiptar diskutuan sot mbi incidentet në stadiumin e Beogradit. Ata kërkuar trajtimin me dinjitet të lojtarëve shqiptarë dhe mbrojtjen e tyre në institucionet ndërkombëtare. Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, deklaroi para parlamentit se dhuna nisi me përdhosjen e himnit kombëtar dhe thirrjet në kor kundër shqiptarëve. Ai u bëri thirrje autoriteteve të larta serbe që të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes, nga deklaratat fyese kundër shqiptarëve dhe të distancohen nga elementët provokativë. “Autoritetet serbe të marrim mbrapsht të gjitha deklaratat fyese ndaj shqiptarëve” - deklaroi ai.

Ministri Bushati tha se presidenti i Serbisë, kryeministri, Federata Serbe e Futbollit dhanë deklarata plot gjuhë urrejtje ndaj Shqipërisë, ndaj pritet distancimi i autoriteteve serbe nga kjo rrugë, sepse janë evidentuar elemente që bien në kundërshtim me Serbinë dhe rregullat e BE-së. “Kërkojmë, krahas distancimit nga aktet e dhunës, një hetim i plotë për çështjet. Ndaj nxisim autoritetet serbe të gjejnë fakte për çdo person të përfshirë në akte dhune dhe fyese, dhe kjo do të dëshmonte angazhimet e tyre” - tha zoti Bushati.

XS
SM
MD
LG