Lidhje

Diplomatët e huaj, thirrje Shqipërisë të reformojë drejtësinë dhe policinë


Diplomatët e huaj, thirrje Shqipërisë të reformojë drejtësinë dhe policinë

Diplomatët e huaj, thirrje Shqipërisë të reformojë drejtësinë dhe policinë

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të vazhdojnë reformimin e policisë shqiptare, si një institucion profesional neutral dhe i lirë politikisht.

“Është e rëndësishme që cdo drejtori rajonale dhe komisariat policie të dinë atë që ligji kërkon prej tyre. Kjo është e rëndësishme për suksesin e policisë së shtetit, si dhe përmbushja e detyrave të tyre pa ndërhyrje politike” - tha ai.

Ambasadori amerikan i bëri këto komente në mbledhjen e Konsorciumit Ndërkombëtar ku u trajtuan rekomandimet e Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu tha se po ashtu edhe prokurorët duhet të hetojnë në bazë të fakteve, pa ndërhyrje dhe trysni nga asnjë burim.

“SHBA - tha ambasadori Arvizu - rikonfirmojnë policisë shqiptare gjithë mbështetjen në përpjekjet për të siguruar një atmosferë neutrale parazgjedhore. Dihet që është e vështirë dhe se ka incidente, por trajtimi i tyre me profesionalizëm është i nevojshëm për një garë të rregullt”.

Ndërsa drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfarth tha se policia dhe ministria e brendshme ia arritën që të sigurojnë udhëtimin e lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë pas plotësimit të kërkesave teknike nga policia kufitare dhe ajo e emigracionit.

“Por reforma në fushën e drejtësisë - tha ai - është vonuar në parlament. Shumë ndryshime ligjore që janë kërkuar në kodet e gjykatave nuk janë kryer, avokati i popullit nuk është zgjedhur ende dhe ndërtimi i gjykatës administrative nuk është miratuar. “Projekti për ndërtimin e gjykatave administrative ka mbetur i pashqyrtuar për afro 2 vjet. Në fushën e antitrafikut Shqipëria ka përpjekje të dukshme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për të mbrojtur viktimat e këtij trafiku. Megjithatë duhet bërë më shumë në bashkëpunimin me vendet e tjera, në mënyrë që Shqipëria të mos eksportojë më kriminalitet në Europë” - tha ai.

Bashkimi Europian po i kërkon që të plotësojë rekomandimet e Opinionit për kandidaturën e saj, mes të cilave lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si edhe pjekuria politike dhe mirefunksionimi i institucioneve demokratike.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG