Lidhje

Drejtësia, Xhafaj: Ndërhyrje kirurgjikale


Kryetari i komisionit të Reformës në Drejtësi, socialisti Fatmir Xhafaj, tha sot se janë propozuar ndryshime të thella që do të prekin të gjithë sistemin

Në Shqipëri kryetari i Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, paralajmëroi sot ndërhyrje të thella për të transformuar këtë sistem. “Situata në sistem është kritike. Paaftësia, korrupsioni dhe mungesa e integritetit dhe përgjegjshmërisë janë dukuri negative që e bëjnë sistemin të varet nga ndikimi politik dhe interesat e më të pushtetshmëve. Prandaj, ndryshimi i gjendjes nuk pranon makiazh, por ndërhyrje kirurgjikale, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar e shëndoshur pjesën e shëndetshme të këtij sistemi”, u shpreh zoti Xhafaj.

Procesi i reformës ka nisur prej gati 8 muajsh, dhe në të janë angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj. Propozimet e paraqitura parashikojnë ndërhyrje dhe në kushtetutë dhe ndryshime që nga mënyra e zgjedhjes së presidentit dhe kompetencat e tij, te rishikimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Prokurorisë dhe rolit të Kryeprokurorit apo dhe mënyrat e emërimeve të gjyqtarëve. “Disa dhjetra ligje do të duhet të rishkruhen”, tha zotit Xhafaj.

Ndërhyrjet në kushtetutë kërkojnë domosdoshmërisht dhe votat e opozitës, e cila vetëm së fundi ju bashkua komisionit. Zoti Xhafa e konsideroi të rëndësishëm bashkëpunimin me opozitën, duke vënë theksin te “cilësia e bashkëpunimit”. Sipas tij “konsensusi duhet t’i shërbejë reformës dhe jo reforma të sakrifikohet për hir të konsensusit”, u shpreh zoti Xhafaj.

Nga ana e tij nënkryetari i Komisionit, deputeti demokrat Eduard Halimi reagoi pasdite ndaj daljes publike të zotit Xhafaj. “Protagonizmi politik nuk e ndihmon procesin, pasi besoj se qytetarët dhe partenerët tanë ndërkombëtare do të kërkonin një qendrim të përbashkët në lidhje me procesin e deritanishëm dhe po aq për të ardhmen. Vetëm një proces i përbashket dhe me trasparence do të jete garanci për një reforme konsesuale dhe të suksesshme”, u shpreh zoti Halimi.

Komisioni ka miratuar analizën e detajuar të sistemit të Drejtësisë, si dhe Strategjinë e reformës e cila përmban propozimet për disa variante ndërhyrjesh. Për zotin Halimi “strategjia e reformës që duhet të pasqyrojë zgjidhjet që presin qytetarët shqiptarë dhe partenerët ndërkombëtare, duhet të jetë një strategji e përbashkët, konkrete, me impaktin e opozitës, dhe të mishërojë qëllimin e konsolidimit të pavarësisë, të eleminojë tërësisht kapjen politike, të ndalë kapjen e mëtejshme dhe të kristalizojë një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe paaftesisë në drejtësi”, u shpreh përfaqësuesi i opozitës.

XS
SM
MD
LG