Lidhje

Port i ri peshkimi në Durrës


Në qytetin bregdetar të Durrësit sapo ka nisur ndërtimi i një porti peshkimi, sipas një projekti modern, i cili pritet t’i shtojë zonës bukurinë dhe të zgjerojë industrinë detare. Durrësi është i vetmi qytet i madh në detin Adriatik që nuk ka një port peshkimi.

Ndërtimi i këtij porti peshkimi është zvarritur qysh nga viti 1998. Ai financohet me një kredi të favorshme nga Banka Islamike dhe parashikohet të përfundojë në fund të vitit tjetër. Mjeshtrat e kësaj fushe pohojnë se projekti i portit është një nga më modernët dhe nuk i mungon asgjë. Besim Troplini, nënkryetar i Organizatës së peshkimit, thotë se krahas ideve nga fundi i viteve ’90, një projekt konkret u hartua nga vitet 2003 - 2005, i cili mbeti në letër. Sipas tij, aktualisht janë rreth 120 anije peshkimi, por jo të gjitha janë active, ndaj porti i ri nuk do të jetë një port parkimi, por sjell nevojën e një përzgjedhjeje të anijeve më të mira, që janë në aktivitet.


Firma që po ndërton portin e peshkimit në Durrës ka shumë përvojë në ndërtim portesh të rëndësishëm në vende të BE-së si në Francë e Spanjë dhe në Azi. Aktualisht ajo po përgjysmon në një vit e gjysmë kohën e ndërtimit të një porti modern 13 hektarë, nga 3 vjet që ishte projekti, thotë Aleksandër Garuli, drejtor i njësisë së zbatimit të projektit në ministrinë e mjedisit.

Ekspertët pohojnë se përfitimi i qytetit dhe i vetë portit ekzistues të mallrave dhe udhëtarëve është shumë i madh, sepse anijet e peshkimit, që deri tani rrinin të përzjera midis tyre, tani zhvendosen nga terminali i trageteve në portin e tyre të ri. Kjo ndarje e shton sigurinë e portit ekzistues, sepse nuk përplasen më anijet e vogla me tragete nga furtunat e motit të keq, siç kanë ndodhur mbytje anijesh në 6 raste vitet e fundit.

Porti dhe qyteti bashkëjetojnë ngushtë, ndaj çdo përmirësim që i bëhet njërit e përfiton edhe tjetri. Zgjerimi i infrastrukturës portuale rrit fitimet, bizneset dhe vendet e punës për banorët, sepse do të rritet trafiku i anijeve që përpunohen. Durrësi është qendra më e madhe ekonomike e tregtare e Shqipërisë. Në të gjendet porti më i madh detar, stacioni më i madh hekurudhor dhe kryqëzimi i korridoreve më të rëndësishme të transportit.
XS
SM
MD
LG