Lidhje

A mund të kurohet ebola?


Një tjetër linjë ajrore ka ndërprerë fluturimet në Afrikë, ndërsa epidemia e Ebolës vazhdon të përhapet në katër vende Afrikano-Perëndimore.

Korean Air Lines tha sot se do të ndërpresë përkohësisht fluturimet në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, si masë për parandalimin e përhapjes së Ebolës.

Në Kenia nuk ka pasur njoftime për raste të Ebolës, por Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë vend të Afrikës Lindore si të ekspozuar ndaj sëmundjes, pasi është një qendër kryesore transporti.

Brtish Airways dhe linja Emiratet kanë anulluar shërbimet në pjesët e Afrikës Perëndimore të prekura nga Ebola.

VAKSINA EKSPERIMENTALE PËR EBOLËN

Njoftohet se Kanadaja do të dërgojë deri në një mijë doza të një vaksine eksperimentale të ebolës në Afrikë.

Ka të ngjarë që punonjësit e kujdesit shëndetësor do të marrin dozat e para. Organizata Botërore e Shëndetsisë miratoi përdorimin e ilaçeve eksperimentale për njerëzit që janë të infektuar me virusin e ebolës, i cili ka marrë jetën e mbi një mijë personave në Afrikën Perëndimore.

Serumi eksperimental për ebolën i cili iu dha misionarëve amerikanë dhe spanjollë prodhohet nga një kompani e vogël në Kaliforni. Firma thotë se nuk ka më nga ilaçi, por po përpiqet të rrisë prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Grupe të tjera po punojnë gjithshtu për të prodhuar ilaçe ose vaksina. Hulumtuesit në kompaninë Newlink Genetics në Iowa thonë se kanë një vaksinë që ishte 100 për qind e efektshme kur u përdor tek majmunët. Kompanisë iu dha një grant federal për të vazhduar punën e saj dhe për të përshpejtuar testimin tek njerëzit.

Dr. Jay Ramsey, një nëpunës i saj, thotë se po punohet “çdo minutë e çdo ditë.”

Instituti Kombëtar amerikan i Shëndetsisë ka miratuar një fond për Degën e Mjekësisë të Universitetit të Teksasit për të krijuar trajtime të efektshme për ebolën. Hulumtuesi kryesor Thomas Geisbert bisedoi me Zërin e Amerikës.

“Do ta përdorim këtë grant që të punojmë për ato që ne besojmë se janë tre nga trajtimet më premtuese pas ekspozimit ndaj ebolës,” thotë Geisbert.

Të tre ishin të efektshëm kur u testuan tek majmunët. Hapi i ardhshëm – testimet tek njerëzit:

“Një nga qëllimet e këtij projekti është të pëpiqemi që të kombinojmë këto trajtime të ndryshme. Për shembull, me HIV-in, ka patur shumë sukses me kombinimin e ilaçeve të ndryshme anti-virale të cilat funksionojnë në mënyra të ndryshme, dhe ne besojmë se mund të përdorim të njëjtën strategji për ebolën,” thotë Geisbert.

Që nga viti 1976, ka patur më shumë se 15 kriza të ebolës në Afrikën nën-Sahariane, por ende nuk k anjë ilaç kundër saj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti i sëmundjeve tropikale Dr. Peter Hotez shpjegon:

“Problemi është se ebola është një sëmundje tropikale e neglizhuar. Atje ku nuk ka një treg komercial për to, firmat kryesore multikombëtare nuk do të investojnë për këto produkte.”

Si rezultat, hulumtuesit varen nga grantet nga qeveria dhe burime private dhe përparimi është shumë më i ngadaltë. Tepër i ngadaltë për më shumë se një mijë personat që tashmë kanë vdekur nga virusi.

XS
SM
MD
LG