Lidhje

Egjipti zhytet më thellë në kaos


Në Egjipt, koalicioni kryesor i opozitës nuk e pranoi ftesën e presidentit Mohammed Morsi për dialog për të zgjidhur një nga krizat më të rënda dhe të dhunshme që nga rrëzimi i ish-presidentit Hosni Mubarak dy vjet më parë. Edhe sot, trazirat vazhduan në të gjithë vendin.

Përpjekjet e presidentit Morsi për të ndalur valën e dhunës politike në Egjipt nuk duket se kanë patur ndonjë sukses ndërkohë që vendi zhytet më thellë në kaos.
Edhe sot, policë me rroba civile u përpoqën të arrestojnë protestues në Kajro. Deri tani, rreth 60 njerëz janë vrarë në pesë ditë trazirash.

Dje, një protestues vdiq nga zjarri i armëve, pas përleshjeve midis policisë dhe të rinjve dhe që zgjatën gjithë ditën deri natën vonë. Protestuesit qëllonin me gurë ndërsa policia përdori gazin lotsjellës.

"Vumë re se disa protestues po përpiqeshin të hynin me forcë në Hotel Kontinental. Lajmëruam policinë, e cila erdhi, hodhi gaz lotsjellës dhe protestuesit u shpërndanë," thotë ky banor i Kajros.

Në Sheshin Tahrir të Kajros, protestuesit i vunë zjarrin një autoblinde të policisë duke festuar rreth automjetit të djegur, skenë që të kujtonte revolucionin e vitit 2011 që rrëzoi Presidentin Hosni Mubarak.

Të dielën mbrëma, Presidenti Morsi vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimin në Port Said, Suez dhe Ismailija. Megjithatë, trupat nuk ndërhynë mbrëmë, kur mijra njerëz dolën nëpër rrugë duke hedhur parrulla kundër Presidentit, duke e sfiduar ndalimqarkullimin.

Përbuzja ndaj vendimit të Presidentit shihet si një rebelim i hapur që shumë njerëz mendojnë se mund të përhapet.

Morsi është presidenti i parë i zgjedhur me vota të lira në Egjipt.

Por, që nga ardhja në këtë post rreth shtatë muaj më parë, ai nuk ka arritur të trajtojë problemet e mëdha të vendit duke filluar nga ekonomia në rënie të lirë e deri te krimi i përhapur, trazirat në rrugë dhe mungesa e konsensusit politik.
XS
SM
MD
LG