Lidhje

Egjipti në një udhëkryq historik


Egjipti në një udhëkryq historik
Egjipti në një udhëkryq historik

Egjipti po hyn në një fazë të re të tranzicionit të tij me zgjedhjet parlamentare, një proces që filloi sot dhe që pritet të vazhdojë tre muaj. Por pas një viti të trazuar dhe më shumë se një jave demonstratash të dhunshme, shumë egjiptianë janë të shqetësuar për të ardhmen e vendit.

Ky është momenti për të cilin kanë luftuar protestuesit në Egjipt - zgjedhjet parlamentare, rezultati i të cilave mund të jetë i papritur. Por me dhunën dhe trazirat në rrugët e Kajros nuk ka qenë e lehtë të arrihej deri këtu.

Studentja Habiba el Husseiny thotë se nuk ka shumë shpresë.

"Sinqerisht nuk dua të jem pesimiste. Dua një të ardhme më të mirë. Nuk mendoj se është koha e duhur për zgjedhjet, por ato duhen mbajtur."

Kjo është një dilemë për të cilën diskutohet edhe në leksionet e shkencave politike në Universitetin Amerikan në Kajro.

Sociologu Said Sadek pyet nxënësit në lidhje me përfshirjen e tyre në protesta.

"Sa nga ju keni qenë në Tahrir? Dy? Vetëm dy?" pyet profesori.

Habiba Husseiny thotë se ajo do të shkojë në shesh për të kundërshtuar masat e ashpra qeveritare kundër demonstruesve por jo të mbështesë kërkesat e protestuesve kundër ushtarakëve.

"Ne jemi në kohë shumë të paqëndrueshme, dhe ekonomia është e shkatërruar. Protestuesit duhet ta përqendrojnë vemendjen te ekonomia, te turizmi dhe jo siç po veprojnë tani."

Sadek thotë se ushtria u jep një pjese të egjiptianëve një ndjenjë stabiliteti pas ngjarjeve të trazuara të pranverës arabe.

"Ushtria është në thelb klasë e mesme urbane, dhe ata kanë shumë interesa ekonomike."

Por konflikti civilo-ushtarak në Sheshin Tahrir nuk është burimi i vetëm i tensioneve. Sadek fajëson politikanët islamikë si frymëzues për pakënaqësi dhe trazira të mëtejshme.

"Islami politik nuk është Islami i vërtetë. Këta politikanët po përdorin fenë për të arritur te pushteti, po e shfrytëzojnë këtë luftë klasash - ndarjen në mes të fshatit dhe qytetit, jetës beduine dhe jetës moderne”, thotë Sadek.

Këta zëra të ndryshëm i kanë larguar akoma më shumë një pjesë të egjiptianëve. Ja ç’thotë shitësi Salah Hassa'an.

"Ne po hyjmë në një fazë të errët, sepse shumica e partive kanë interesa politike dhe personale dhe nuk përfaqësojnë opinionin publik, punëtorët. Ata thonë se përfaqësojnë "shumicën e heshtur."

Në Universitetin Amerikan në Kairo, Profesor Sadek u kërkon studentëve të analizojnë se ku e gjejnë ata veten në këtë udhëkryq historik që po kalon Egjipti.

Pavarësisht se sa e pasigurt mund të jetë kjo kohë për shumë egjiptianë, ekspertët thonë se rezultatet e zgjedhjeve mund ta bëjnë pak më të lehtë përgjigjen e kësaj pyetjeje.

XS
SM
MD
LG