Lidhje

Tiranë: Konferencë ndërkombëtare për 25 vjetorin e rrëzimit të komunizmit


Autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të Shqipërisë morën sot pjesë në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria dhe Evropa , 25 vite nga rënia e komunizmit”, e organizuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri, uroi Shqipërinë për 25 vjetorin e rrëzimit të komunizmit, në emër të presidentit Obama, me një mesazh, që u lexua në konferencë nga ambasadori amerikan Donald Lu.

Po ashtu kancelarja gjermane Angela Merkel dërgoi një mesazh me video në konferencë. Papa Francesku dërgoi një mesazh për festën e rrëzimit të diktaturës.

Konferencë për 25 vjetorin e rrëzimit të komunizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00

"Mësimi i parë për të nxjerrë nga këto 25 vite ballafaqimi me të shkuarën tonë dhe me sfidat e integrimit europian është se dallimin nuk e bën klima, nuk e bën gjeografia, nuk e bën as historia e njerëzve. Dallimin e bën historia e institucioneve dhe tradita e shtetit si i tillë, pavarësisht nga njerëzit, pavarësisht nga gjeneratat që i lënë radhë njëra-tjetrës" - tha kryeministri Edi Rama.

Oratorë të ndryshëm, protagonistë të lëvizjes antikomuniste të dhjetorit 1990 sollën kujtime nga ngjarjet e atyre ditëve dhe bënë analiza të ndryshme mbi ecurinë e demoracisë në këtë çerek shekulli, nga dita kur studentët nisën protestat antikomuniste me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ish presidenti, ish kryeministri Sali Berisha, si një nga protagonistët e ngjarjeve të vitit 90, foli më shumë mbi të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

"Unë besoj se shqiptarët do t'ia dalin. Unë kam besim të madh se, pavarësisht nga kjo situatë, shqiptarët do të arrijnë të rikthehen drejt shtetit ligjor, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të zënë vendin e tyre midis kombeve të tjera në Bashkimin Europian" - tha ish-kryeministri Berisha.

Në konferencë folën edhe shumë përfaqësues të mediave ndërkombëtare që ndoqën nga afër dhe pasqyruan lëvizjen demokratike të vitit 1990.

Drejtori i Zërit të Amerikës për divizionin e Euro-Azisë, Elez Biberaj, kujtoi se si protagonistët e zhvillimeve demoratike të vitit 90 dhanë intervistat e para në Zërin e Amerikës, si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sali Berisha dhe intelektualë të tjerë që drejtuan protestat dhe forcat e para politike në vend.

"Mendoj se "Zëri i Amerikës" ka ndikuar në ngjarjet që çuan në rënien e komunizmit. Por "Zëri i Amerikës" ishte vetëm pjesë e një serie faktorësh të tjerë, që ndihmuan së bashku në shembjen e sistemit komunist. Sistemi komunist u shemb, sepse ishte një sistem i kalbur si dhe për shkak se regjimi komunist nuk arriti të shuante shpirtin demokratik të kombit shqiptar. Për mua ishte kënaqësi e jashtëzakonshme fakti që "Zëri i Amerikës" shërbeu si një dritë shprese gjatë periudhës së errët të komunizmit dhe që "Zëri i Amerikës" dha një ndihmesë modeste në periudhën e tranzicionit historik dhe paqësor të shqiptarëve në një qeverisje pluraliste dhe demokratike" - tha zoti Biberaj.

Shqipëria feston çdo 8 dhjetor ditën kombëtare të rinisë, dita kur 25 vjet më parë studentët nisën protestën e tyre të parë anti-komuniste në qytetin Studenti, e cila çoi në përmbysjen komunizmit më 8 dhjetor të vitit 1990, duke u ndjekur nga mijëra qytetarë të tjerë.

Pjesëmarrësit pohuan se Shqipëria në 25 vjet shënoi përparime të rëndësishme, si antarësimi në NATO dhe afrimi me Bashkimin Europian, duke zhvilluar reforma demokratike dhe ekonominë e tregut të lirë.

XS
SM
MD
LG