Lidhje

Zhvillohet konkursi për pasardhësin e CEZ-it

  • Armand Mero

Në Shqipëri, Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi sot konkursin për përzgjedhjen e administratorit i cili do të marrë drejtimin e kompanisë së shpërndarjes së Energjisë në rast të heqjes së licencës grupit cek CEZ.

Në garë për këtë post u paraqitën 6 kandidatura. Mes tyre bie në sy emri i zotit Sait Dollapi, ish drejtori i operatorit të shpërndarjes deri në momentin e privatizimit dhe aktualisht drejtues i ndërmarrjes së ujësjellësit në kryeqytet.

Vendimi i Entit rregullator do të merret të hënën e ardhshme, ditë në të cilën pritet që të shpallet dhe vendimi për t’i hequr CEZ-it licencën. Administratori do të duhet të paraqesë brenda një kohe të shkurtër planin për përmirësimin e gjendjes së kompanisë dhe do të qëndrojë në këtë detyrë derisa kompania t’i kalojë një shoqërie tjetër.

Prej shumë muajsh mes autoriteteve shqiptare dhe CEZ-it po zhvillohet një luftë e ashpër. Çekët janë shprehur për një klimë armiqësore në Shqipëri ndërsa kanë nxjerrë në shitje aksionet e tyre. Ndërkohë që nga pala shqiptare ata kritikohen për një administrim të dobët të sektorit të shpërndarjes dhe mos respektim të detyrimeve të parashikuara në kontratën e shitjes.
XS
SM
MD
LG