Lidhje

Bie vlera e Euros


Vlera e euros kundrejt dollarit ra në nivelin më të ulët në nëntë vjet, ndërkohë që frika mbi paqëndrueshmërinë në eurozonë u thellua më tej në javën e parë të vitit të ri. Siç njofton nga Londra korrespondentja e Zërit të Amerikës Sela Hennessy, investitorët kanë ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mundësinë që Banka Qendrore Evropiane të nisë një program stimulimi monetar në vitin 2015.

Gjatë një interviste për radion franceze, Presidenti Francois Hollande u pyet lidhdur me mundësinë e daljes së Greqisë nga eurozona.

Ai thotë se populli grek është i lirë të zgjedhë udhëheqësit që dëshiron. Ai më vonë shtoi se vetëm Greqia mund të vendosë nëse dëshiron të qëndrojë në eurozonë apo jo.

Muajin e kaluar, anëtarët e parlamentit grek nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri, duke i hapur rrugën organizimit të menjëhershëm të zgjedhjeve më 25 janar.

Partia e krahut të majtë Syriza, është duke udhëhequr në anketat e opinionit. Kjo parti ka premtuar se do t'i japë fund masave shtrënguese nëse fiton dhe thotë se do t’i kërkojë Evropës të fshijë pjesën më të madhe të borxhit të saj, duke bërë që shumë analistë të parashikojnë një dalje të mundshme greke nga eurozona.

Komentet e zotit Hollande erdhën pas njoftimeve se qeveria gjermane është e gatshme të lejojë Greqinë të dalë nga eurozona - një raport që është mohuar nga zyrtarë të qeverisë gjermane. Të hënën, zëdhënësja e Bashkimit Evropian tha se anëtarësimi në eurozonë ishte "i pakthyeshëm" dhe sugjeroi se Greqia mund të lejohet të rinegociojë disa kushte të anëtarësimit të saj.

Kriza politike në Greqi është një nga problemet e shumta që kanë rënduar eurozonën.

Broker Joe Rundle është shef i shkëmbimeve financiare në firmën ETX Capital në Londër.

"Mendoj se Gjermania është i vetmi vend që po e mban të bashkuar eurozonën. Por ndoshta këtu kemi të bëjmë me një çështje edhe më të madhe, një mosmarrëveshje mes Gjermanisë dhe pjesës tjetër të eurozonës dhe se ata do të duhet të bëjnë më shumë për të stimuluar pjesën tjetër të eurozonës".

Të hënën Euro shënoi një rënie prej 1,2 përqind kundrejt dollarit duke arritur nivelin e saj më të dobët që nga marsi i vitit 2006.

Rënia vjen pasi presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi dha sinjale se banka së shpejti mund të fillojë një program të ri stimulimi monetar, atë të blerjes së borxheve të vendeve të eurozonës.

Gjatë një interviste të premten, zoti Draghi la të kuptohet se Banka Qendrore Evropiane mund të fillojë blerjen e bonove qeveritare, duke ndjekur kështu shembullin e bankave qendrore të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një sondazh të kryer nga gazeta Financial Times, 26 ekonomistë thanë se presin që Banka Qendrore Evropiane të fillojë blerjen e bonove të thesarit nga qeveritë evropiane këtë vit, ndërsa pesë ekonomistë të tjerë thanë se nuk mendonin se kjo do të ndodhte. Shumica e të anketuarve thanë se pavarësisht veprimeve të Bankës Qendrore Evropiane, ata presin që rritja ekonomike dhe inflacioni të mbeten në nivele të dobëta këtë vit.

Zoti Rundle thotë se është shumë herët të parashikohen lëvizjet e ardhshme të Bankës Qendrore Evropiane.

"Unë mendoj se zoti Draghi është mjeshtër i fjalëve për të gjetur zgjidhje, por jo i vendimeve për zbatimin e tyre".

Takimi i parë i Bankës Qendrore Evropiane këtë vit pritet të mbahet më 22 janar, vetëm disa ditë para zgjedhjeve greke. Analistët thonë se Euro ka të ngjarë të mbetet shumë e paqëndrueshme para këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme.

XS
SM
MD
LG