Lidhje

Kriza e refugjatëve në Europë


Ministri i Brendshëm i Gjermanisë kritikoi sot ashpër Austrinë për dërgimin e emigrantëve dhe refugjatëve në kufirin gjerman pa njoftim paraprak. Nga ana e saj Austria thotë se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të një gardhi në kufirin me Slloveninë për të ngadalësuar valën e imigrantëve që hyn në vend.

Qeveria gjermane akuzoi sot Austrinë se po çon me makina refugjatët në kufi pas muzgut në mënyrë që ata të hyjnë në Gjermani. Ministri Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere tha në një konferencë shtypi në Berlin se qëndrimi i Austrisë ditët e fundit është i papranueshëm, një nga kritikat më të forta publike ndaj vendit fqinj, që kur kriza e refugjatëve u thellua dy muaj më parë:

"Kemi vërejtur se refugjatët po sillen në kufirin gjerman pa paralajmërim dhe pas muzgut, pa asnjë lloj rregulli. Kemi pasur kontakte intensive. Austria ra dakord dje që t’i kthehet një procesi të rregullt. Unë pres që kjo të ndodhë menjëherë", tha ministri.

Austria nga ana e saj thotë se do të vendosë një gardh në kufirin me Slloveninë për të ngadalësuar valën e imigrantëve që hyn në vend. Ministrja e Brendshme austriake Johanna Mikl-Leitner tha se synimi nuk është të mbahen larg imigrantët, por të kontrollohet ardhja e tyre sipas rregullave. Ajo tha gjithashtu se në kufi do të dërgohen forca policore shtesë:

"Kam paraqitur kërkesën për 2 mijë oficerë policie ekstra për të liruar oficerët që kanë punuar për orë të zgjatura me muaj të tërë. Ata që në kufi po bëjnë të pamundurën. Ne jemi tashmë në negociata me zyrën e kancelerit për dërgimin e oficerëve shtesë. "

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se vendet anëtare nuk po lëvizin aq shpejt sa duhet për të menaxhuar krizën më të vështirë të imigrantëve në continent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët tha se më shumë se 700 mijë njerëz kanë shkuar në Evropë këtë vit, duke u larguar nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

XS
SM
MD
LG