Lidhje

Francë: Debati për vdekje të vullnetshme

  • Lisa Bryant

Në një rast që po ndiqet me vëmendje dhe që mund të ketë ndikim përtej Francës, gjykata më e lartë e Evropës mbajti në fuqi një vendim të mëparshëm francez për të mos mbajtur gjallë artificialisht një burrë në gjendje vegjetative. Por beteja nuk përfundon këtu.

Çështja nëse 38 vjeçari Vincent Lambert duhet të lejohej të vdiste ose jo, ka shkaktuar një luftë të ashpër mes familjes së tij dhe Francës që në vitin 2008. Në atë kohë, një aksident me makinë i shkaktoi tij dëmtimin e rëndë të trurit dhe e la kuadriplegjik. Që atëherë ai ka qenë në një gjendje vegjetative, i shtruar në spital në rajonin Champagne, i mbajtur gjallë me ushqim dhe ujë përmes serumeve.

Përpjekjet për ta shkëputur nga burimet që e mbajnë gjallë, bënë një hap përpara të premten, me vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në vendimin me 12 vota pro dhe 5 kundër, anëtarët e gjykatës mbajtën në fuqi të një gjykate administrative franceze, sipas së cilit Lambert e kishte bërë të qartë dëshirën e tij kundër mbajtjes gjallë artificialisht.

Vdekja e vullnetshme është e paligjshme në Francë por mjekët mund të ndërpresin procesin e mbajtjes gjallë nën një ligj prë vdekje pasive dhe gjykata arriti gjithashtu në përfundimin se një rrugë e tillë për francezin Lambert nuk binte ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Vendimi i sotëm nuk është i gëzueshëm, por vullneti i tij duhet respektuar”, tha gruaja e Lambertit, Rachel e cila ka kërkuar që ai të lejohej të vdiste.

Vendimi i gjykatës nuk mund të apelohet, por çështja nuk ka marrë fund. Prindërit e tij vazhdojnë të përpiqen për ta mbajtur gjallë. Ishin ata që e paraqitën çështjen në gjykatën për të lartë të të drejtave të njeriut në Evropë. Avokati i tyre, Jerome Triomphe e quan vendimin “skandaloz”.

“Bie ndesh me vetë themelet dhe parimet e gjykatës evropiane. I bëj thirrje qeverisë franceze që të lejojë transferimin e Lambertit në Strasburg ku një mjek ka ofruar të kujdeset për të”.

Por një mjek tjetër, Eric Kariger i tha radios franceze se vendimi i gjykatës evropiane është një hap i vogël për Lambertin dhe gruan e tij, por një hap gjigand për njerëzimin. Kariger kishte kuruar më parë Lambertin dhe kishte dashur ta shkëpuste nga makineritë.

Vendimi i së premtes mund të krijojë një precedent ligjor për 47 vendet anëtare të Gjykatës Evropiane, ku përfshihen Turqia, Rusia dhe Ukraina. Rajoni është thellësisht i përçarë lidhur me të drejtën për vdekje të vullnetshme. Vetëm disa vende evropiane e kanë legalizuar atë, si edhe vetëvrasjen me ndihmën e mjekëve.

XS
SM
MD
LG