Lidhje

Studim për evolucionin e bimëve


Sipas një studimi të ri, lulet, pemët dhe prodhimet bujqësore në kohët tona, mund të mos kenë vetitë, ose kohën e mjaftueshme për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Studimi i publikuar në revistën "Nature" analizon mënyrën se si ndryshuan bimët në të kaluarën, për t'iu përshtatur të ftohtit. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, këto mekanizma mund të mos sigurojnë mbrojtje të njëjtë ndaj ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu në botën tonë, që është duke u ngrohur me shpejtësi.

Dyqind e dyzetë e tre milionë vjet më parë, lulet jetonin në kushtet e një klime të ngrohtë tropikale. Që nga ajo kohë, ato janë përhapur në planetin tonë edhe në vende shumë më të ftohta. Studjuesja e ekologjisë në Universitetin George Washington, Amy Zanne dhe kolegët e saj donin të mësonin se si bimët mundën t'i mbijetojnë ftohjes së motit. Ata identifikuan tre faktorë, veçori që i ndihmojnë gjatë studimit: rënia e gjetheve para stinës së dimrit, ngushtimi i qelizave, apo kanaleve që transportojnë ujin nga rrënjët tek gjethet dhe ridalja e rrënjëve dhe lulëzimi i bimës përsëri në pranverë.

“Hapi tjetër ishte se ne donim jo vetëm të shikonim se ku ndodhen këto specie sot dhe në se ato janë duke përjetuar ngrirjen apo jo, por për t'u përpjekur të kuptojmë evolucionin e këtyre karakteristikave dhe radhën e evolucionit të tyre, apo veçoritë e tyre."

Për ta realizuar këtë, studjuesit ndërtuan pemën më të madhe të evolucionit të 32 mijë specieve bimore. Pastaj ata krahasuan veçoritë e tyre përshtatëse me ndryshimet e mëdha klimatike në Tokë, për të mësuar se si evoluan bimët në kushtet e të ftohtit, ndërsa u përhapën në mbarë globin.

“Ne vumë re se tek të tre veçoritë e bimëve, pati një mbështetje të fuqishme për t'u përshtatur ndaj ngricës, si dhe një ndryshim të tipareve. Në mënyrë që t'i përshtateshin të ftohtit, bimët ngushtuan kanalet, në mënyrë që ajri të mos bllokonte kalimin e ujit në rrënjë. Pra bimët mundën t'i ruajnë rrënjët, duke i mbajtur kanalet të ngushta. Po ashtu, ato i hodhën gjethet në tokë, në mënyrë që të mos duhej t'i ruanin ato nga viti në vit. Diçka tjetër që bënë lulet për t'iu përshtatur të ftohtit, ishte se ato iu shmangën, ose ju fshehën të ftohtit, duke u bërë barishtore."

Bimët barishtore kanë gjethe dhe rrënjë të cilat bien në tokë gjatë dimrit. Studjuesja Zanne thotë se zbulimi më i rëndësishëm ishte se ndryshimet ndodhën para se bimët të gjendeshin në mjedise më të ftohta.

“Zbuluam se para se të përballeshin me të ftohtin bimët i kishin ngushtuar tashmë kanalet e kalimit të ujit dhe ishin bërë barishtore. Pra, ato i ishin përshtatur tashmë një lloji tjetër presioni. Ndoshta ato i ishin përshtatur thatësirës me këto karakteristika, të cilat po ashtu funksionuan edhe në kushtet e motit të ftohtë. Pra, bimët ishin "të armatosura mirë" për të përballuar temperaturat e ulëta".

Ekologia Any Zanne dhe ekipi i saj po ashtu kanë në plan t'i studjojnë bimët në mjedis të ngrohtë, ose të thatë. Studimi sugjeron se në kohën tonë, lulet, pemët dhe prodhimet bujqësore mund të mos i kenë veçoritë, ose kohën e nevojshme për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike të detyruara prej njeriut.
XS
SM
MD
LG