Lidhje

Fëmijët e Hollivudit mësojnë artin skenik


Fëmijët e Hollivudit mësojnë artin skenik
Fëmijët e Hollivudit mësojnë artin skenik

Shumë programe të artit janë ndërprerë në Shtetet e Bashkuara për shkak të shkurtimit të buxheteve për shkollat. Në Los Anxhelos, organizatat e komunitetit, përfshirë Këshillin e Arteve të Hollivudit, kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Materiali në vijim na njeh me një program pas orarit mësimor për fëmijët e qytetit në Hollivud.

Shona Meklur është drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Arteve të Hollivudit, një organizatë jofitimprurëse.

Ajo thonë se shkolla fillore “Vajn” ndodhet në një lagje imigrantësh.

“Ata përfaqësojnë grupe të ndryshe: latinë, armenë, aziatikë. Që të gjithë kanë një trashëgimi të pasur kulturore. Kështu që po përpiqemi të shkrijmë aspektet më të mira të Hollivudit dhe kulturave të tyre dhe t’i japim një mundësi të provojnë të merren me art”. - thotë ajo

Fëmijët janë të kënaqur, thotë mësuesja Anxhelina Prendergast:

“Më duket se po u pëlqen të gjithëve, sidomos pasi kalojnë gjithë ditën në shkollë. Më pëlqen t’i shoh duke vallëzuar. Disa nga ta janë mjaft të talentuar dhe shpresoj që të vazhdojnë trajnimin”.

Barbara Rozenblat, e cila mëson 9-vjeçarët, thotë se arti është pjesë e rëndësishme në zhvillimin e fëmijës, posaçërisht në këtë qytet të kinematografisë.

“Është me rëndësi që fëmijët tanë të njihen me mundësitë e ndryshme për punë këtu në Hollivud dhe të zgjerojnë horizontin”.

Vetëm gjysma e nxënësve të arsimit publik në Los Anxhelos përfundojnë shkollën e mesme. Të tjerët ndërpresin mësimin. Najla Arslanian, kryetare e Këshillit të Arteve të Hollivudit, thotë se mësimi i arteve mund t’i nxisë ata të kryejnë shkollën.

“Kur janë në klasë të tretë e të katërt, thonë dua të bëhem mjek, dua të bëhem avokat, zjarrfikës... mendojnë për gjithë këto mundësi. Por ëndrrat u zbehen ndërsa vazhdojnë shkollimin. Besojmë se arti ua zgjeron horizontin”. - thotë zonja Najla

Mësuesja e aktrimit, Melisa Berman, thotë se në këto kurse jepen mësime të rëndësishme.

“Angazhohemi për komunitetin, punën ekipore, aftësinë për të dëgjuar e për të përdorur të gjitha dhuntitë, cilado qofshin, përmes vallëzimit, komunikimit, ideve, punës krijuese, imagjinatës, por edhe në argëtim”.

Sponsorizuesit e projektit shpresojnë që të rikthehen fondet për programet e arteve në shkolla. Ndërkohë, ata po përpiqen të plotësojnë zbrazëtinë.


XS
SM
MD
LG