Lidhje

Fillim konstruktiv në bisedimet me Iranin


Zëdhënësi i shefes së BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton tha se raundi i parë i bisedimeve midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore për programin e debatueshëm bërthamor të Teheranit ishte “konstruktiv”, duke hedhur themelet për bisedimet e ardhshme.


Michael Mann tha sot se fuqitë botërore besojnë se Irani ishte angazhuar seriozissht dhe ka treguar angazhim në bisedime pasi dy palët përfunduan seancën e tyre të parë në Stamboll.
Këto janë bisedimet e para direkte mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe Gjermanisë në më shumë se një vit.


Njoftimet e medias thonë se të dy palët shprehën interes në bisedimet dypalëshe.


Takimi ndodh në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe fuqive perëndimore janë shtuar në lidhje me natyrën e programit bërthamor të Teheranit. Irani thotë se ambiciet e tij bërthamore janë paqësore.

Megjithatë, OKB-ja, BE-ja, dhe fuqitë botërore duke përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë miratuar raunde të njëpasnjëshme sanksionesh ndaj Iranit për shkak të shqetësimeve se Teherani është duke u përpjekur të prodhojë armë bërthamore.

Më herët gjatë kësaj jave, Michael Singh i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt tha se bisedimet mund të sjellin rezultate, sepse Irani po përballet me presion të madh ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG