Lidhje

Francë: Francois Fillon fiton në raundin e parë të votimeve paraprake


Javën e kaluar anketat e renditën zotin Fillon si një kandidat të jashtëm. Propozimi i tij për reforma të orientuara nga tregu, ishte më i ashpër sesa preferonin rivalët e tij, në një vend ku shteti vazhdon të ketë epërsi, edhe në të djathtën e qendrës, ndryshe nga qëndrimet konservatore ose liberale në Shtetet e Bashkuara ose Britani.

Duke siguruar 44 për qind të votës në raundin e parë, sipas rezultateve fillestare, zoti Fillon tani hyn në një garë balotazhi të dielën me Alain Juppe-në, që mori më pak se 30 për qind.

Sipas një sondazhi të djeshëm, zoti Fillon ka gjasa ta fitojë raundin e dytë.

“Thelbi i fushatës së Francois Fillon është të shkojë të takojë francezët kudo që janë. Ka tre vjet që e bën një gjë të tillë, do të vazhdojë ta bëjë këtë javë dhe nuk do të ndryshojë shprehitë e tij. Do të vazhdojë të jetë Francois Fillon që francezët e njohin shumë më mire dhe në një fare kuptimi do të jetë një javë sa e gjatë, aq edhe e shkurtër”, tah zëdhënësi i tij, Jerome Chartier.

Fillon ka lindur në rajonin Sarthe, rreth 200 kilometra në perëndim të Parisit, kur rrënjën e katolicizmit mbeten të forta. Ai ka kundërshtuar adoptimin e fëmijëve nga çiftet homoseksuale.

Ai është i martuar me Penelope Fillon, e lindur në Welsh dhe ka pesë fëmijë. Ai ishte anëtari më i ri në moshë i parlamentit francez, kur u zgjodh për here të pare para 35 vjetësh.

Fillon është admirues i ish-kryeministres Margaret Thatcher, një figurë aspak popullore në Francë. Në vitin 2003, gjatë protestave në Francë, ai doli në mbrojtje të reformave që e ngrinin moshën e pensionit.

Ish-kryeministri argumenton se plani i tij për shkurtim shpenzimesh është i realizueshëm nëse punonjësit e sektorit publik punojnë 39 orë në javë, në vend të 35 orëve ose më pak që punojnë aktualisht.

Parizienët ishin të befasuar që ai doli në krye të garës të së djathtës së qendrës.

“U habita sesa shumë njerëz votuan për Fillon. Kisha menduar se gara ishte mes kandidatëve Sarkozy dhe Juppe. Por mendoj se njerëzit duan ndryshim dhe pikërisht kjo ndodhi dje, thotë Amelie, një banore e Parisit.

“Jam pak i habitur, sepse dukej se prirja ishte më shumë në favor të Juppe-së dhe në fakt doli Fillon. Mendoj se ishte më shumë një votë kundër kandidatit të tretë, Sarkozisë”, thotë Olivier.

Çdo francez me të drejtë vote mund të marrë pjesë në raundin e dytë, të dielën që vjen. Fitorja e zotit Fillon, në raundin e parë është në vazhdën e befasive politike në gjithë botën këtë vit, ku përkundër parashikimeve të analistëve dhe specialistëve të sondazheve, publiku ka votuar për kandidatë që nuk pritej të fitonin.

XS
SM
MD
LG