Lidhje

Franca sulmon bazat e ekstremistëve në Mali


Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha sot se sulmet e reja ajrore të Francës në veri të Malit kishin si objektiv depot e karburantit dhe bazat e ekstremistëve islamikë në rajon. Zoti Fabius tha në radion franceze se sulmet u ndërmorën gjatë natës në rajonin Kidal, pranë kufirit me Algjerinë.

Sulmet ajrore janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t'u prerë furnizimet luftëtarëve radikalë që kishin vënë nën kontroll një pjesë të mirë të këtij vendi afrikan duke imponuar rregulla të ashpra mbi popullatën.

Zoti Fabius tha gjithashtu se Franca dëshiron që forcat afrikane të marrin me shpejtësi, ndoshta deri të martën, përgjegjësitë e sigurisë në qytetin historik Timbuktu.
Ai tha se gjatë vizitës së tij në Mali të shtunën me presidentin François Hollande, ishte "prekur thellë" nga falenderimet që populli malian kishte shprehur për ushtrinë franceze.

Zoti Fabius tha se synimi i parë i Francës në Mali është të mos lejohen militantët islamikë të lëvizin drejt jugut dhe t'i "çrrënjosin" ata.

"Qëllimi i dytë është rivendosja e tërësisë territoriale të Malit, ndërsa i treti krijimi i kushteve për zbatimin e rezolutave ndërkombëtare. Dhe kjo po ndodh," tha zoti Fabius.

Njoftohet ndërkohë se në veri të Malit u kapën të shtunën dy militantë të lartë islamikë, duke përfshirë një ndër udhëheqësit kryesorë të grupit radikal Ansar Dine, i cili ndihmoi për vendosjen e ligjit të rreptë islamik në qytetin Timbuktu.
Franca ndërhyri në Mali më 11 janar për të frenuar përparimin e luftëtarëve të lidhur me al-Kaidën.

Zoti Fabius komentoi gjithashtu mbi gjendjen në Siri dhe vlerësoi vendimin e Rusisë për të mbështetur koalicionin kombëtar sirian, duke thënë se kjo është rruga për të "luftuar kundër ekstremizmit në Siri."

"Unë gjithmonë u kam kërkuar fuqive të ndryshme, sidomos Rusisë, që të bisedojnë me këta njerëz që janë demokratë. Por kjo u refuzua. Tani me sa duket është pranuar. Por ne ende kemi një punë jashtëzakonisht të vështirë për të bërë atje," tha zoti Fabius.

Rusia është nën trysni për t'i dhënë fund mbështetjes ndaj regjimit të Presidentit sirian Bashar al Asad.
XS
SM
MD
LG