Lidhje

Obama: Tensionet me Rusinë mund të zgjidhen


Presidenti Barak Obama tha se tensionet me Rusinë mund të zgjidhen. Ai i bëri komentet pas bisedimeve që pati me presidentin rus mbi një sërë temash, që përfshinë Sirinë, Iranin dhe tregtinë.

Pas një takimi me të në samitin e G20-ës në Meksikë, zoti Obama tha se ai dhe presidenti Vladimir Putin janë dakord mbi nevojën për të kërkuar t’i jepet fund dhunës në Siri. Zoti Putin tha se ai dhe zoti Obama gjetën shumë "pika të përbashkëta'' në diskutimet e tyre mbi Sirinë.

Rusia, një aleat i vjetër i Sirisë, e ka mbrojtur presidentin e saj Bashar al-Asad nga sanksionet e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkohen nga shtetet perëndimore dhe arabe, që kundërshtojnë sundimin 11-vjeçar të zotit Asad si dhe shtypjen e dhunshme të opozitës nga ana e tij.

Përsa i përket Iranit, zoti Obama tha se ai dhe Presidenti Putin ndajnë të njëjtën qasje për zgjidhjen e krizës mbi programin bërthamor të vendit dhe tha se ka ende kohë për një zgjidhje diplomatike.

Udhëheqësi amerikan dhe ai rus i mbajtën bisedimet në vendpushimin bregdetar Los Cabos, ndërkohë që udhëheqësit e ekonomive kryesore të botës janë mbledhur për një takim dy-ditor të nivelit të lartë. Ky ishte takimi i tyre i parë që nga rikthimi i zotit Putin në postin e presidentit pas zgjedhjeve muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG