Lidhje

Pronat shqiptare, ligji i ri kthen polemikat e vjetra


Qeveria shqiptare po përgatitet të paraqesë përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ligjin e ri për trajtimin e pronave dhe aktet nënligjore si përpjekjen më të madhe shtetërore për të zgjidhur cështjen e pronave në mënyrë përfundimtare.

Përfaqësues të shtetit shqiptar u paraqitën në fillim të prillit në Gjykatën Europiane në Strasburg me ligjin e ri të pronave, ndërkohë që në Tiranë Gjyktata Kushtetuese vendosi në fund të prillit, që ligji i ri të mos i pezullohet zbatimi, ndërkohë që vazhdon shqyrtimi i padive ndaj tij.

“Jemi në limitet, ku dëmshpërblimi, që na vjen përditë për shkak të një mosveprimi të tejzgjatur të shtetit shqiptar, nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, po rrezikon kontributin e taksave të gjithë shtetasve shqiptarë në mbushjen e buxhetit të shtetit për veprimtarinë normale të shtetit” thotë Sonila Qato, drejtuese e Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Ligji i ri i pronave me formulën e re synon të përfundojë procesin e kompensimit të pronave.

Qysh nga janari, kur u miratua ligji, agjencia e re e trajtimit të pronave ka nisur nga puna për ta zbatuar këtë ligj me formulën e re.

Nga viti 1993 shumë pronarë janë pajisur me vendime të komisioneve të ndryshme për kompensim të pronave të zëna nga shteti për qëllime të ndryshme, por ende pas 25 vjetësh ata nuk kanë marrë asgjë.

“Ligji i ri nuk sjell ndonjë gjë të re, por përpiqet të vërë kapakun çështjes me një shprehje si “ligji për trajtimin e pronave” i gjithë paudhësive që janë bërë nga viti 1991 e deri sot. Janë 57 mijë vendime të dhëna për pronat, janë edhe 27 mijë kërkesa të tjera, që janë në agjenci të patrajtuara. Ato nuk mund të trajtohen me këtë ligj, sepse ndodh një përplasje edhe me kushtetutën dhe me vendimet dhe kërkesat e Gjykatës së Strasburgut” - tha zoti Gëzim Boçari, përfaqësues i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Agjencia ka nisur një vlerësim ekonomik të pronave, sipas renditjes së vendim-marrjes më të vjetër, pra është bërë edhe një listim sipas një renditje kronologjike.

Brenda muajve maj dhe qershor agjencia do të mbyllë vlerësimet për vitet 1993 dhe 1994.

Drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato thotë se Gjykata e Starsburgut e ka pranuar si hap të parë kërkesën e qeverisë shqiptare dhe tani pritet vendimi i saj, nëse ligji i ri është në përputhet me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Çfarëdo përfundimi të nxjerrë Gjykata e Strasburgut, edhe pasi të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga ana e qeverisë shqiptare, ne si qeveri do ta marrim me shumë seriozitet për ta zbatuar, nëse ajo e pranon për ta vazhduar më tej punën e nisur. Nëse ajo ka vërejtje për këtë formulë, ne mund ta korigjojmë për të qenë sa më brenda Konventës Europiane për të Drejtat Njerëzore” - zonja Qato.

Zvarritjet mbi 20 vjeçare kanë krijuar një faturë të rëndë nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut për dëmshpërblimet e pronarëve, faturë e cila po cënon qëndrueshmërinë financiare të shtetit shqiptar.

Po ashtu janë edhe një numër të madh dosje pronash të pashqyrtuara ende si dhe një numër të jashtëzakonshëm vendimesh të pazbatuara.

“Qeveria raportoi që e ka zgjidhur problemin dhe kemi rënë në mirëkuptim me pronarët, por kjo nuk është e vërtetë. Ligji është miratuar pa marrë asnjë mendim të pronarëve. Ndërkohë, ne si pronarë kemi dhënë zgjidhje me një draft tonin të hartuar me specialistë qysh në 2013, por nuk është marrë në konsideratë. Ky draft e zgjidh problemin e pronës pa kosto dhe shumë shpejt” - thotë zoti Boçari.

Gjykata e Strasburgut kërkon një shpërblim të drejtë për pronarët, në përputhje me konventën e të drejtave të Njeriut, por sipas zonjës Qato shpërblim i drejtë nuk do të thotë detyrimisht shpërblim i plotë.

“Nëse Gjykata do ta pranojë formulën tonë si një shpërblim të drejtë, atëherë rruga e të gjitha çështjeve të tjera të depozituara deri më sot në Gjykatën e Strasburgut, apo edhe ato që mund të depozitohen në këtë çast pranë asaj gjykate do të jetë rikthimi, apo nënshtrimi i këtyre shpërblimeve sipas formulës së re që parashikon ligji i ri” - thotë zonja Qato.

Ligji i ri i pronave ka si qëllim kryesor kthimin fizik të tyre, atje ku ato janë të lira, dhe më pas kompensimin e tyre, kur janë të zëna.

Pas kthimit fizik të disave dhe kompensimit për ato që ka vendime komisionesh janë edhe rreth 11 mijë dosje pronash, që nuk janë shqyrtuar ende prej mëse dy dekadash.

“Nuk mund të bësh ti legalizim të objekteve që dikush ka ndërtuar në pronën time. Ato që janë ndërtuar pa leje në pronën e shtetit mund të bëhen ligje të tjera. Shoqata jonë ka në parim kthimin e pronës konform Kushtetutës. Qeveritarët tanë, të djeshëm dhe sotëm, asnjëherë nuk kanë pyetur se çfarë kërkojnë pronarët. Ne duam atë që është jona. Ne nuk jemi kundër kompensimit. Mund të bëhen edhe legalizime, por për raste të veçanta, jo ligj për legalizimet, sepse kjo kultivon anti-vlera” - thotë zoti Boçari.

Vlerësimi ekonomik i pronës me ligjin e ri po bëhet sipas hartave të vjetra në ato raste kur ka ndryshuar regjimi juridik i pronës ose zëri kadastral.

Në rastet kur zëri kadastral nuk ka ndryshuar, kthimi i pronës bëhet i plotë. Qeveria Rama mori përsipër para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut identifikimin e mjetit të brendshëm efektiv dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Moskthimi i pronave e paraqet vazhdimisht Shqipërinë si shtet i paditur përballë Gjykatës së Strasburgut, dhe është bërë pengesë kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG