Lidhje

Rritet popullariteti i anglishtes në Gjeorgji

  • James Brook

20 vite më parë, në 12 vende jo sllave që rrethonin bërthamën sllave të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, 90 përqind e popullatës fliste rusisht. Por me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, gjuhëtarët thonë se nga fundi i këtij 10 vjeçari, kjo shifër mund të bjerë deri në 10 përqind. Në Gjeorgji interesi për gjuhën ruse është ulur në mënyrë të ndjeshme.

Në republikën ish sovjetike të Gjeorgjisë, mësuesi i anglishtes Charlie McMurray është fytyra e së ardhmes gjuhësore të këtij vendi. Charli, një 25 vjeçar amerikan nga shteti Oregon është një prej 540 mësuesve të anglishtes, shumica amerikanë, të cilët janë pjesë e programit të qeverisë së Gjeorgjisë për të ndihmuar të gjithë nxënësit në mësimin e anglishtes.

“Ka rreth 2000 shkolla në Gjeorgji dhe thuajse të gjitha kanë një person që anglishten e ka gjuhë amtare në personelin e tyre”.

Mbas thuajse dy shekujsh nën sundimin e Moskës, Gjeorgjia mori një vendim dy vjet më parë që anglishtja të jetë e detyruar si lëndë mësimore për të gjithë nxënësit. Rusishtja është zgjedhje me dëshirë.

Më 21 tetor, miliarderi Bidzina Ivanishvili, folës i rusishtes dhe i arsimuar në rusisht u bë kryeministri i ri i Gjerogjisë.

Këtu në shkollën 75 në Tbilisi, drejtoresha Tina Alavodze nuk sheh ndryshim të politikave për mësimin e gjuhëve të huaja. Ajo thotë se prindërit kërkojnë anglishten që në klasë të parë për fëmijët e tyre.

“Njerëzit kërkojnë vetë të mësojnë anglisht. Ndaj nuk ka politka të reja në drejtim të mësimit të gjuhëve të reja”.

Gjerogjia dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian. 90 përqind e fëmijëve në Evropë tani mësojnë anglisht.

Meri Sazuashvili, nxënëse 15 vjeçare, parashikon që do të ketë reagime nga ana e nxënësve nëse qeveria e Gjeorgjisë do të bëjë shkurtime në stafin e mësuesve të anglishtes:

“Do të protestojmë... Anglishtja është shumë e rëndësishme. Nëse ata e bëjnë këtë, ne do të studiojmë vetë anglisht”.

Meri e përdor anglishten që të krijojë miqësi anembanë botës përmes rrjetit Facebook. Shoqja e saj Nanuka Abuashvili përdor rrjetin tjetër social Tumbrl.

“Kam folur me njerëz nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Anglia, Franca, Belgjika dhe vende të tjera. Ata e flasin shkëlqyeshëm anglishten”.

Vitin e kaluar, mësuesi amerikan i Nanukës ishte Raughley Nuzzi. Ai shkoi bashkë me korrespondentin e Zërit të Ameikës për të rivizituar shkollën e tij të vjetër në veri të Tbilisit.

“Ne mësuam vallëzimin amerikan.., këngë të Elvis Presley-t..., ishte shumë bukur”.

Tani zoti Nuzzi është zëdhënës për programin e mësimit të gjuhës angleze.

“Programi pëlqehet shumë, madje edhe nga kundërshtarët e adminstratës së mëparshme. Shkollat, familjet, nxënësit, prindërit, çdokush prej tyre e ka mbështetur programin”.

Nga Tbilisi, Lawrence Sheets, drejtori rajonal i grupit Ndërkombëtar të Krizave, ndjek se si rusishtja ka humbur rolin e saj historik si gjuha e një perandorie.

“Shumë njerëz e kanë harruar rusishten. Nëse shkon në fshatra, ku brezi i vjetër ka folur rusisht – të paktën gjatë periudhës sovjetike - tani, ka zona të tëra ku njerëzit nuk flasin, ose flasin shumë pak rusisht”.

Duke gjykuar nga brezi i ri i Gjeorgjisë, e ardhmja duket se është gjuha angleze.

XS
SM
MD
LG