Lidhje

Gjykata e Lartë kineze pritet të marrë vendim për çështjen e Ipadit


Dje përfundoi një seancë dëgjimore në gjykatën e provincës Guandong në Kinë, në lidhje me betejën ligjore që ka nisur mes firmës Apple dhe kompanisë kineze të teknologjisë “Proview Electronics”. Kjo kompani këmbëngul të mbajë të drejtën e përdorimit të emri IPad në Kinë, ndonëse kompania Apple pretendon se e ka blerë të drejtën e pronësisë për këtë markë në vitin 2009.

Kompania Apple po nxiton që të hedh në treg në datën 7 mars një tjetër produkt të madh të saj. Burime brenda kësaj industrie thonë se bëhet fjalë për brezin e tretë të iPad-it. Por shpërndarja e këtyre produkteve mund të mos shkojë aq lehtë sa mendohet, nëse kompania pak e njohur Aziatike, Proview do të vazhdojë me betejën e saj ligjore.

Në paraqitjen e tij në gjykatë të mërkurën, avokati i firmës Proview, Xie Xianghui tha se ai besonte se apelimi i kompanisë Apple për të përdorur emrin iPad në Kinë, nuk do të merret parasysh.

“Apple nuk ka siguruar prova të reja. Ata përdoron disa prova që i kanë paraqitur në gjykatat e Hong Kongut dhe që i kanë riparaqitur në gjykatat lokale kineze”.

Kompania Apple pati një fitore të vogël javën e kaluar mbasi një gjykatë në Shangai hodhi poshtë kërkesën e firmës Proview për të pezulluar shitjete e iPad-ëve në këtë qytet. Por avokati Xiao Caiyan thotë se Proview po lufton me kompaninë më të madhe të botës për çështje parimore. Natyrisht, thotë ai, firma kineze është gati të pranojë një marrëveshje nëse shuma e ofruar është e drejtë.

“Pa marrë parasysh të drejtën e autorit, kjo ka të bëjë qartësisht me të drejtën e pronësisë. Kjo çështje është e panegociueshme. Por nëse kompania Apple dëshiron të marrë leje ligjore për të përdorur markën në treg, ose të zotërojë këtë markë përmes transfertave ligjore e nëse mund të sjellë një paketë propozimesh për të patur një marrëveshje jashtë gjykatës, ne nuk do të kundërshtonim”.

Kompania Proview pretendon se transferta e markës në vitin 2009 ishte e paautorizuar dhe se nuk mund të aplikohet në Kinë.

Por disa mendojnë se beteja për të drejtën e autorit është një përpjekje e një kompanie të zhytur në borxhe për zhvatur para. Ekipi ligjor i kompanisë Apple shton se Proview, e cila është thuajse e faleminetuar, nuk ka prodhim, nuk ka treg, as klientë apo furnizues.

Kompania Apple thotë se një vendim kundër saj do të dëmtonte interesat e klientëve në Kinë dhe do të shkaktonte hutim në treg.

IPad-i mbizotëron ndaj kompjuterave portativë duke kontrolluar 76% të tregut në Kinë.

Vendimi përfundimtar i gjyktasë së lartë kineze pritet të merret mbas disa javësh.

XS
SM
MD
LG