Lidhje

Gara zgjedhore dhe gratë amerikane sipërmarrëse


Nëse fushata zgjedhore presidenciale në Shtetet e Bashkuara, përfundon në një garë mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, 60 për qind e grave amerikane të anketuara së fundmi në një sondazh të CNN-it, thanë se do të votonin për zonjën Clinton.

“Si grua që vij nga Afrika, nuk do ta kisha menduar kurrë se do të hapja një biznes në Amerikë.”

Viti i fundit solli sfida për pronaren e dyqanit të akullores, Anne Segal. Ugando-amerikania dhe nënë e një vajze të vogël, përdori kursimet e familjes për të ngritur biznesin e saj pranë Uashingtonit.

“Është fare e lehtë për një burrë të shkojë në një bankë dhe të marrë një hua. Për mua si grua, nëse më pyesin se çfarë pune bëj dhe u them që jam shtëpiake, askush nuk do të më japë hua”.

Margot Dorfman, drejtore ekzekutive e Dhomës së Tregëtisë së Grave Amerikane, thotë se vështirësitë e të qenurit biznesmene grua, reflektohen në statistika.

Ndërsa gratë janë pronare të 36 për qind të të gjitha kompanive amerikane, ato sjellin vetëm 4 për qind të të gjitha të ardhurave vjetore në Shtetet e Bashkuara.

“Prej dekadash ne jemi nënvleftësuar, si fakti që për shembull që nuk paguhemi njëlloj. Ne detyrohemi të lëmë punën në korporata, që të hapim bizneset tona me shpresën që ndoshta të paguhemi njëlloj dhe të kemi një mjedis të përshtatshëm për famuljet, e megjithatë prapë kemi vështirësi në tregun e punës”.

Zonja Dorfman mendon se demokratja Hillary Clinton është kandidatja më e përshtatshme për t’u përballur me këtë sfidë dhe organizata e saj ka shprehur mbështetjen për të.

“Ajo është e përkushtuar që bizneset e vogla të kenë qasje në kapitale dhe tregje dhe është shumë e interesuar për qasje tek kujdesi shëndetësor i përballueshëm”.

Bukie Opanuga, që gjithashtu mbështet zonjën Clinton, e konsolidoi biznesin e saj të marketingut dixhital me qendër në Atlanta, duke përdorur karta krediti me interes të lartë.

Në fushatën presidenciale, amerikano-nigeriania thotë se po i kushton shumë vëmendje çështjeve të grave në vendin e punës.

“Disa njerëz nuk kanë interes të bëhen sipërmarrës, por në thelb janë të detyruar që të dalin nga tregu i punës dhe të vetëpunësohen sepse u duhet të zgjedhin mes rrogës dhe mundësisë për t’u kujdesur për një fëmijë të sëmurë në shtëpi. Këto janë disa nga çështjet që më interesojnë mua dhe që duhet t’u interesojnë shumë grave”.

Anne Segal ndërkohë po ndjek me vëmendje ekonominë ndërsa përpiqet që të nzjerrë fitime nga biznesi i saj. Megjithëse ka votuar për Barack Obamën, ajo thotë se është e zhgënjyer nga demokratët dhe tani po sheh në një drejtim tjetër.

“Bëhet fjalë për Trumpin. Ai punëson njerëz. Kur bëhet fjalë për ekonominë, të paktën e di më mirë sesa të tjerët që na thonë se ç’të bëjmë”.

Pavarësisht se kë mbështesin, si Segal edhe Opanuga thonë se grate amerikane duhet të sigurohen që zëri i tyre duhet të dëgjohet kur të vijë nëntori.

XS
SM
MD
LG