Lidhje

Vazhdon bllokimi i refugjatëve në kufi me Maqedoninë


Disa mijë refugjatë dhe imigrantë po presin në anën greke të kufirit me Maqedoninë dhe në zonën neutrale, për të hyrë në Maqedoni, që ta vazhdojnë rrugën më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Autoritetet në Shkup thonë se kanë kapacitet për pranimin e vetëm 300 refugjatëve në ditë, për shkak të problemeve ekonomike dhe politike në vend. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ndodhet në Shkup për t’u interesuar për çështjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Gjendja në kufirin e Maqedonisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00
Gjendja në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë tek Gjevgjelia dhe Idomeni sot ishte e qetë, ndërkohë që mijëra refugjatë dhe imigrantë janë mbledhur në anën greke në pritje për të kaluar kufirin me Maqedoninë. Ndërkohë, autoritetet maqedonase kanë ashpërsuar masat duke ngritur një gardh të dyfishtë, për të penguar hyrjet eventualisht ilegale të refugjatëve nga Lindja e Mesme.
Këta njerëz këtu janë në anën e Maqedonisë. Janë të kthyer nga Serbia, ndërsa Greqia nuk i pranon prapa, pasi një herë kanë kaluar kufirin e saj verior. Policia maqedonase dhe ajo çeke e sllovake në kuadër të misionit të Frontex, nuk lejon gazetarët të bisedojnë me ta. Ndërkohë, këto çadra janë ngritur në anën greke.
Nga kufiri në Idomeni mund të ketë rreth një kilometër distancë; atje mund të ketë disa mijë refugjatë dhe imigrantë të cilët presin të hyjnë në Maqedoni për të vazhduar rrugën e tyre drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Herë pas here ata dëgjohen duke thërritur për hapjen e kufirit.
Një tjetër grup prej rreth 100 vetësh qëndron jashtë kampit të Gjevgjelisë; poashtu janë të kthyer prap pasi nuk janë pranuar nga Sllovenia, sipas tyre. Aktivistë të Unicefit përpiqen t’i angazhojnë fëmijët në lojëra të përbashkëta.
Anuar Murad është nga Iraku; thotë se këtu është qe pesë ditë, në pritje të hapjes së kufirit.
"Bën shumë ftohtë natën", thotë ai, ndërsa nuk di se ç’farë do të ndodh me fatin e tij.
Ky grup i përket komunitetit Yazeedi në Irak.
Ky njeri flet për rrugën e mundimshme që kanë bërë nga vendlindja deri në shtetet ballkanike dhe për kthimin mbapsht nga autoritetet sllovene, kroate e serbe.
Ndërkohë, forca të shumta maqedonase janë përqendruar në këtë zonë të kufirit. Herë pas here flutorojnë dhe helikopterë. Autoritetet në Shkup thonë se nuk e mbyllin kufirin, por se do të lejojë të hyjnë aq refugjatë sa do të lejojnë të hyjnë edhe vendet e Bashkimit Evropian si Sllovenia apo Austria.

XS
SM
MD
LG