Lidhje

Greqia nis reformimin e sistemit të pensioneve edhe për pakicën greke në Shqipëri


Greqia nis reformimin e sistemit të pensioneve edhe për pakicën greke në Shqipëri
Greqia nis reformimin e sistemit të pensioneve edhe për pakicën greke në Shqipëri

Instituti grek i Pensioneve (OGA) ka nisur reformimin e sistemit të pensioneve duke njoftuar kritere te reja edhe për banorët e pakicës greke në Shqipëri, të cilët përfitonin nga ky sistem. Kriteret pritet të ulin numrin e përfitimit të pensioneve nga një kategori e gjerë e banorëve të pakicës greke, mbi moshën 65 vjeç.

Banorët jetojnë në Gjirokastër dhe në Sarandë, kryesisht në zonat ruale. Këta banorë nga burime jo zyrtare llogariten në mbi 20 mijë. Ata përfitonin deri tani një pension nga 300 deri në 500 dollarë amerikanë në muaj në kuadrin e një financimi nga qeveria greke. Shifra është mjaft e konsiderueshme po të kihet parasysh që pensionet shqiptare nuk e kalojnë të 200 dollarët në muaj. Në zonën rurale kjo shifër është edhe më e ulët.

Ndryshimet në dokumentacionin e pensioneve, sipas burimeve zyrtare greke, përfshijnë ripërtëritjen e dokumenteve të identitetit, dëshmisë së prejardhjes, legalizimin e një seri dokumentesh si në institucionet shqiptare dhe ato greke, dëshmitë nëse personat marrin pension nga shteti shqiptar si dhe të dhëna të tjera familjare.

Instituti grek i Pensioneve përcaktoi 5 majin si afat të dorëzimit të këtyre dokumenteve përmes një qarkoreje të njoftuar nga mjetet lokale të informimit. Dhjetëra pensionistë janë dyndur ditët e fundit pranë zyrave të administratës në Gjirokastër dhe në Sarandë për të plotësuar dokumentet. Legalizimi i këtyre dokumenteve tani kryhet lirisht pasi selitë konsullore janë lehtësuar nga liberalizimi i vizave dhe agjensitë postare kanë marr një rol gjithnjë e më të madh në sigurimin e këtyre shërbimeve.

Vitin e shkuar shtypi qëndror grek kishte folur për reformimine këtij sistemi pasi dyshohej se qindra pensionistë nga Shqipëria e përfitonin këtë skemë në mënyrë të padrejtë. Sipas shtypit grek, vendimi merrej prej krizës së thellë të ekonomisë greke e cila nuk kishte kursyer edhe pensionistët, pjesëtarë të pakicës greke që jetonin në Shqipëri. Për shumë prej tyre vështirësitë e marrjes së pensioneve filluan që dhjetorin e vitit të kalur me disa praktika shtrënguese të autoriteteve greke në tërheqjen e pensioneve nga pensionistët pranë Bankave të Greqisë.

XS
SM
MD
LG