Lidhje

Guvernatori i Nju Xhërsit nuk i bashkohet garës presidenciale të 2012


Guvernatori i Nju Xhërsit nuk i bashkohet garës presidenciale të 2012
Guvernatori i Nju Xhërsit nuk i bashkohet garës presidenciale të 2012

Guvernatori i Nju Xhërsit, Kris Kristi ka njoftuar zyrtarisht se nuk do t’i bashkohet garës presidenciale të vitit 2012. Njoftimi i zotit Kristi i jep fund javës së spekulimeve nëse guvernatori popullor konservator do t’i bashkohej garës për emërimin e Partisë Republikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Malone njofton se ka të tjera të papritura në garën republikane të vitti 2012.

Mundësia që guvernatori Kris Kristi mund të kandidonte pat gëzuar shumë republikanë, të cilët nuk janë të kënaqur nga emrat e tjerë në garë.

Zoti Kristie tha se ai mendoi me seriozitet e për një kohë të gjatë për t’iu bashkuar garës, mbasi u shty nga “njerëz seriozë” të Partisë Republikane për ta bërë këtë hap.

“Studiova të gjitha mundësitë, dëgjova shumë njerëz dhe mora në konsideratë nëse kjo ishte diçka që duhet ta bëja. Por në fund, ajo që ndjeva ishte vendimi që po marr sot. Nuk është momenti im për të marrë pjesë në këtë garë. Kam angazhime ndaj Nju Xhërsit, të cilat nuk mund t’i braktis”.

Vendimi i zotit Kristi për të mos iu bashkuar garës presidenciale të vitit 2012, pason një sondazh të ri sipas të cilit mbështetja për guvernatorin e Teksasit Rik Perri është në rënie. Peri ka udhëhequr garën në javët e para, por popullariteti i tij ka qenë në rënie nga disa paraqitje të dobëta në debatet që janë zhvilluar.

Sondazhi më i fundit i gazetës Washington Post në bashkëpunim me redaksinë e lajmeve të rrjetit ABC, tregojnë se ish guvernatori i Masaçusetsit Mit Romni është në krye me 25% të të anketuarve, ndjekur nga zoti Perri dhe biznesmeni nga Xhorxhia Herman Kein, të cilët renditen të dytët me 16% secili.

Zoti Kein është i vetmi afrikano-amerikan në kampin e republikanëve por ai është shndërruar në një konkurrent të fortë krejt papritur, duke fitura në disa sondazhe të kryera, apo në teste me votuesit dhe duke bërë që të shtohet vëmendja ndaj tij.

“Dy muaj më parë emri im ishte i njohur 21%. Sot emri im sipas sondazhit të Gallupit, ësht i njohur në rreth 51% të të anketuarve”.

Ish drejtuesi i Dhomës së Përfasëuesve Njut Gingriç u rendit i pesti sipas sondazheve të fundit dhe thuhet se rritja e përkrahjes për Herman Kein tregon një entuziazmim të votuesve konservatorë që kërkojnë emra të rinj dhe fytyra të reja në vitin 2012.

“Gara është e hapur. Ajo që po provon Herman Kein është se kjo nuk është garë vetëm mes Perrit dhe Romnit”.

Me rënien e përqindjeve të sondazheve për zotin Perri dhe me Kris Kristin jashtë gare, Mit Romni duket se e ka forcuar pozitën e tij edhe njëherë si kandidati kryesor në kampin e republikanëve.

Beteja e vërtetë për emërimin e Partisë Republikane mund të nisë shumë më herët se ç’ishte menduar.

Vendimi më i fundit i Floridës për të afruar datën e votimit paraprak për garën presidenciale në fund të janarit, duket se do të shtyjë edhe shtetet e tjera për të mbajtur zgjedhjet paraprake më herët se ç’ishte parashkuar. Shteti i Karolinës së Jugut e caktoi votimin për në mesin e muajit janar.

Aleksandër Burns i buletinit elektronik Politiko thotë se votimi për kandidatin republikan duket se do të nisë që në fillim të muajit janar.

“Afrimi i votimeve do të thotë që shtete si Karolina e Jugut, Ajova dhe Nju Hempshire do të mbajnë votimet mbas Vitit të Ri. Kjo shkurton kohën që kandidatët kanë për fushatë përpara fillimit të votimeve”.

Zigzaket dhe të papriturat që ka shfaqur kohët e fundit gara republikane vijnë ndërsa mbështetja për presidentin Obama është në rënie. Zoti Obama tha për rrjetin ABC se ai është për momentin në disavantazh për garën presidenciale të vitit të ardhshëm, duke ia adresuar këtë disavantazh gjendjes së dobët ekonomike në vend.

XS
SM
MD
LG