Lidhje

Hagel bën betimin si Sekretar Mbrojtjeje


Ish-senatori republikan Chuck Hagel bëri sot betimin për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, një ditë pas konfirmimit nga senati amerikan.
Konfirmimi i tij erdhi pas një lufte të ashpër në debat. Zoti Hagel e merr detyrën disa ditë para se të hyjnë në fuqi shkurtimet automatike të një marsit nëse nuk arrihet një kompromis. Shkurtimet për ushtrinë do të kapnin shumën e miliarda dollarëve.

Në fjalimin e tij para punonjësve në Pentagon, zoti Hagel tha se ishte I vetëdijshëm për kohët e vështira me të cilat përballe Departamenti i Mbrojtjes.

Ai tha se Pentagoni duhet të gjejë mënyra dhe të përballet me realitetin. Ai tha se ka shumë sfida përpara, por Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga mundësitë për një botë më të mirë.

“Ajo që e dallon Amerikën mbi çdo gjë tjetër, është se ne jemi një forcë për të mirë. Ne bëjmë gabime, kemi bërë dhe do të bëjmë gabime, por ne jemi një forcë për të mirë. Asnjëherë nuk duhet ta harrojmë këtë”.

Votimi i djeshëm për emërimin e ish-senatorit u bë rreth dy javë pasi ish-kolegët e tij republikanë e shtynë votimin duke ngritur shqetësime për pikëpamjet e tij për Lindjen e Mesme dhe përmasat e arsenalit bërthamor amerikan. Por republikanët në fund, i hapën rrugën konfirmimit.

Presidenti Barack Obama e vlerësoi konfirmimin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë “sekretarin e mbrojtjes që i duhet dhe udhëheqësin që meritojnë trupat tona”.

Zoti Hagel pason shefin e deritanishëm të Pentagonit Leon Panetta. Ai do të jetë i pari veteran i luftës së Vietnamit dhe i pari ish-ushtar që shërben si kreu i Departamentit të Mbrojtjes.
XS
SM
MD
LG