Lidhje

Hotele të reja në Brazil


Ngelen vetëm gjashtë muaj para Kampionatit Botëror në Brazil, dhe shqetësimet janë rritur se shumë dhoma hotelesh do të jenë 50% më të shtrenjta gjatë kampionatit se sa gjatë Lojrave Olimpike të 2016-ës. Pritet që tifozët të cilët planifikojnë të ndjekin fatin e skuadrës së tyre të zemrës në Brazil, do të përpiqen të gjejnë dhoma të lira nëpër shtëpi në mënyrë që të qëndrojnë brenda buxhetit.
Brazili përgatitet për një fluks të madh tifozësh duke ndërtuar 164 hotele të rinj në 12 qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet. Kjo do të thotë 28 mijë dhoma të reja për 600.000 vizitorë të huaj. Pritet gjithashtu që tre milion tifozë brazilianë të udhëtojnë për ndeshjet gjatë kampionatit 30 ditor.
Qyteti i Rios do të mirëpresë numrin më të madh të vizitorëve ndërmjet qyteteve ku do të zhvillohen ndeshjet.
Shtatë ndeshje të Botërorit do të luhen atje, duke përfshirë edhe finalen në stadiumin Maracane më 13 korrik 2014.
Hotele të rinj po ndërtohen në disa vende turistike. 6.500 dhoma të reja hotelesh do të jenë gati për qershorin e ardhshëm si dhe për Lojrat Olimpike të 2016-ës.
Rio ofron dhoma të ndryshme, duke filluar me ato të miratuara nga FIFA në lagjet si Copacabana, Ipanema dhe Barra.
Një raport i kohëve të fundit zbuloi se hotelet braziliane do të kushtojnë 50 % më shumë gjatë Botërorit se sa gjatë Lojrave Olimpike të vitit 2016.
Qeveria krijoi një grup për të monitoruar këto çmime.
“Shoqata Braziliane e Hoteleve është e shqetësuar dhe është përkushtuar së bashku me qeverinë në përpjekjen për të identifikuar se cilët hotele po kërkojnë pagesa jashtë normave.”
Dhoma mesatare në Rio do të kushtojë rreth 460 dollarë për natë, edhe në hotele me dy ose tre yje.
Tetëdhjetë për qind e dhomave të nivelit të lartë janë rezervuar nga agjencia e FIFA-s “Services Match” dhe do t’i rishiten klientëve.
Megjithatë, një mori alternativash të reja do të ofrohen përveç hoteleve të zakonshëm.
Bonita në Ipanema është një nga hostelet më të lezetshëm të Rios.
Dikur ishte banesa e Antornio Carlos Jobim, një kompozitor i bossa novës dhe pronarët japin me qera krevate marinari për 40 dollarë në ditë.
“Kam mësuar rreth hosteleve për të rinjtë nëpërmjet manualeve udhëzues për udhëtim si Routard ose Lonely Planet. Shpresoj të takoj njerëz interesantë dhe të gjej një atomsphere të mirë duke paguar një çmim relativisht modest.”
Motele po hapen edhe në favelat në kodrat e Rios.
Favela Vidigal ofron një pamje të veçantë të oqeanit pa kërkuar një çmim të lartë.
“Vendet e tjera do të jenë shumë shtrenjta, si dhe shumë komerciale dhe ka një karakter turistik ndërsa kjo është mënyra më e përballueshme dhe e mirëfilltë për të përjetuar Brazilin gjatë Botërorit,” thotë Elliot Rosemberg, i cili menaxhon një faqe interneti ku mund të gjenden dhoma për qera në dy nga lagjet e varfra të qytetit.
Hosteli në Vidigal i përket një OJQ-je të quajtur “Ser Azira” e cila ndihmon fëmijët vendas dhe është duke planifikuar të përdorë disa nga përfitimet për të zgjeruar projektet e tyre.
Hostelet në lagjet e varfra kushtojnë rreth 45 realë (19 dollarë).
Brazilianët shpresojnë të zgjerojnë industrinë turistike pas Botërorit dhe Lojrave Olimpike, për të mbushur mijëra dhoma motelesh të sapo ndërtuara.
Shumë janë të shqetësuar se nëse çmimet mbeten të larta, turistët mund të mos duan të kthehen, duke lënë një numër të madh dhomash bosh në tërë vendin.
XS
SM
MD
LG