Lidhje

HRW: BE t'i heqë Hungarisë të drejtën e votës


Organizata Human Rights Watch i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të marrë hapa për të pezulluar të drejtat e Hungarisë për votë, pas ndryshimeve kushtetuese që janë përcjellë me kritika të forta.

Në një raport me 29 faqe të publikuar dje, Human Rights Watch argumenton se ndryshimet e fundit në Kushtetutën e Hungarisë si dhe masa të tjera ligjore po minojnë pavarësinë e gjyqësorit, të drejtat e medias dhe të drejtat e të pastrehëve.

Parlamenti i Hungarisë miratoi amendamentin kushtetues në mars, duke ndezur protesta popullore dhe shqetësim në radhët e qeverive të huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë si dhe Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Përveç kufizimeve mbi të drejtat bazë, studiuesja për Evropën Lindore pranë organizatës Human Rights Watch, Lydia Gall, argumenton se masat e reja bien ndesh me parimet bazë të Bashkimit Evropian, ku Hungaria u përfshi në vitin 2004.

"Bëhet fjalë për parime që flasin për krijimin e Bashkimit Evropian mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe mbi të gjitha respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Jemi në një pikë ku situata në Hungari ka precipituar, veçanërisht kur flasim për shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë në rrezik”.

Zonja Gall thotë se Hungaria ka bërë disa ndryshime si rezultat i kritikave, por këto nuk mjaftojnë. Parlamenti Evropian ka rekomanduar që Hungarisë t’i pezullohet e drejta e votës në Bashkimin Evropian. Human Rights Watch e mbështet këtë propozim:

"Mendoj se kemi arritur në cakun e fundit, ku retorikat paralajmëruese duhet t’u lënë vendin pasojave konkrete për vende si Hungaria, nëse këto vende thyejnë parimet”.

Zyra hungareze e shtypit pranë Bashkimit Evropian nuk pranoi të bënte komente lidhur me raportin e organizatës Human Rights Watch. Por Budapesti zyrtar ka argumentuar më parë se Kushtetuta e vendit kishte nevojë për ndryshime.

E përditshmja The Wall Street Journal shkruan në numrin e djeshëm se Budapesti nuk ka përfillur kritikat e BE-së, duke ngritur pretendimin se Bashkimi ka bërë më parë një sy qorr ndaj masave të ngjashme të marra nga vende të tjera anëtare.
XS
SM
MD
LG