Lidhje

Zgjedhjet shqiptare dhe dekriminalizimi sipas studiuesve


Vëzhgues të pavarur të proceseve zgjedhore dhe studiues të jetës politike shqiptare mbështetën propozimin për të ndaluar personat me të dhëna kriminale, që të kandidojnë për drejtues të pushtetit vendor. Drejtuesi i Institutit për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe sistemeve zgjedhore, Kristaq Kume, tha se tani është koha më e mirë për t'i dhënë me ligj KQZ-së kompetencat për të mënjanuar kandidatët problematikë nga lista e bashkiakëve.

Zgjedhjet shqiptare dhe dekriminalizimi sipas studiuesve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00

Kjo masë, sipas zoti Kume, kërkon vullnetin e dy partive të mëdha për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në shërbim të marrëveshjes për bashkëpunim dhe dekriminalizim që arritën në dhjetor. Por nenet e reja, me të cilat K.Q.Z. mund të pastrojë listat, duhet të jenë të qarta dhe pa keqinterpretime, dhe vendimet në komision për secilin rast duhet të jenë me konsensus.

Analistët mendojnë se politizimi i zgjedhjeve vendore është shërbimi më i keq që mund t'u bëhet qytetarëve, sepse politizimi nuk sjell zgjidhje racionale. Studiuesja Ina Zhupa thotë se për shkak të politizimit ata kundërshtojnë zgjidhje teknike shumë të mira të garuesit tjetër. Sipas saj, krahas përballjes partiake Basha - Rama, në thelbin e fushatës qëndrojnë kandidatët me cilësitë e tyre.

Politizimi i përhershëm i fushatës bashkiake, pohojnë studiuesit, këtë radhë do të vijë edhe nga fakti se zonat janë zmadhuar tej mase, pushteti vendor u largua nga interesat e ngushta të banorëve dhe votimi është gjithsesi një provë e mbështetjes së secilës parti nga qytetarët. Zoti Kume tha se vëzhgimi i zgjedhjeve është i domosdoshëm për rëndësinë politike që ato kanë dhe për zmadhimin e jashtëzakonshëm të zonave zgjedhore.

Studiuesit pohojnë se dallimet programore mes dy partive të mëdha janë të papërfillshme, aq më tepër që sivjet janë përzjerë me parti më të vogla që lëvizin nga një krah në tjetrin. Mjedisi, punësimi, rinia dhe nevoja të tjera të qyteteve janë të njëjta dhe kandidatët nuk mund të premtojnë ndryshe, por mund t'i bindin qytetarët se t'u plotësojnë kërkesat.

Sfida tjetër, thotë studiuesja Ina Zhupa, është dallimi i madh mes premtimeve idealiste të kandidatëve dhe realitetit të jetës së përditshme, ku mbizotërojnë papunësia, pesimizmi dhe njerëzit largohen jashtë vendit. Sipas saj, për temat e mëdha kombëtare nevojitet bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës.

Analistët shohin me dyshim edhe të ashtuquajturat fushata pozitive dhe negative, siç po quhen sivjet; sepse siç thonë ata, prapa një fushate pozitive mund të fshihen dështimet e qeverisjes dhe cilësitë e dobëta të kandidatëve. Sipas tyre, palët duhet të gjejnë një ekuilibër realist, sepse kur një kandidati i numërohen dështimet e mëparshme, kjo është e dobishme për fushatën, por fushata mund të falsifikohet nëse kandidatët vetëm lavdërohen, sepse zgjedhjet vendore janë të vetmet zgjedhje maxhoritare në Shqipëri.

Ndryshimet në kodin zgjedhor dhe plotësimi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bënë me vonesë, megjithatë komisioni u kthye shpejt në veprimtarinë e zakonshme. Ndërkohë që disa afate ligjore u shkelën me vonesa, në të kundërt, fushata zgjedhore ka nisur përpara afatit ligjor.

XS
SM
MD
LG