Lidhje

Industria e filmit në Nju Jork


Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bloomberg, thotë se kjo industri rrit të ardhurat dhe krijon mijëra vende pune

Shpesh thuhet se ka miliona histori në Nju Jork; çdokush që jeton atje ka përrallën e tij, e cila mund të jetë një skenar i denjë filmi. Shumë prej historive njujorkeze janë rrëfyer në ekranin e gjerë apo në filmat televizivë. Por industria e filmit në Nju Jork po rritet me shpejtësi duke u kthyer në një histori më vete.

“Anchors” është film me buxhet të ulët. Është filmi i tretë i regjisorit dhe skenaristit David Wexler. Ai thotë se Nju Jorku është qytet i cili prodhon histori dhe subjekte filmash...

“Kur unë them “film në Nju Jork” menjëherë krijohet koncepti i dy njerëzve të cilët njihen me njëri-tjetrin në dy të mëngjesit. Ky është qyteti që nuk fle kurrë”.

Ai thotë se skenaristët e shohin qytetin si frymëzim. Filmi”Anchors” është ende në studiot e montazhit. Subjekti i tij është një histori dashurie me fund jo të lumtur.
Wexler thekson se edhe regjisorë të mirënjohur si Spike Lee punojnë ne studio produksioni në Nju Jork.

Shumica e filmit “Revolutionary Road” ku interpretojnë Leonardo di Caprio dhe Kate Winslet, nuk është xhiruar në qytet. Por disa pjesë të tij janë xhiruar në Steiner Studios, një prej studiove me standardet e Hollywood-it.
Studiot Steiner shtrihen në një hapësirë prej 8 hektarësh dhe pritet që të trefishojnë këtë sipërfaqe pasi duan të ndërtojnë studio jo vetëm për filma por edhe për programe dhe reklama.

Drejtuesi i studios Douglas Steiner thotë se aktorët në seritë televizive vijnë në Nju Jork për kulturën e tij të pasur dhe ambjentin mediatik.

“Ata mund të punojnë në televizion paradite dhe në Broadway natën. Ata mund të bëjnë intervistat e tyre gjatë programeve të paradites në televizione. Është ekonomike të punosh bazuar në planifikimin e ditës së tyre”.

Prodhuesit e filmave thonë se Nju Jorku inkurajon filmat lokalë. Wexler nuk e pati problem kur ai xhiroi një film ku kërkohej mbyllja e një rruge. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, e përcakton industrinë e filmave si një industri që rrit të ardhurat dhe krijon mijëra vende pune.

“Nëse shihni një film apo reklamë apo gjithçka që xhirohet për t’u shfaqur, shihet që shumica e buxhetit nuk shkon tek aktorët. Ata marrin një përqindje të vogël. Shumica e buxheteve shkon për ndërtuesit e skenave, elektricistët, kamarierët pra njerëzit e stafit”.

Industria e fimit në Nju Jork sjell çdo vit 7 miliardë dollarë në buxhetin ekonomik të qytetit. David Wexler shpreson që filmi “Anchors” do të mbledhë të ardhura të kënaqshme kur të shfaqet nga fundi i këtij viti.
XS
SM
MD
LG