Lidhje

Operacion i INTERPOL-it kundër armëve të paligjshme

  • Raimond Kola

Organizata policore europiane INTERPOL tha se në një operacion kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit në Evropë janë kryer 149 arrestime dhe konfiskim i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve.
Sipas organizatës Operacioni “Trigger II” përfshiu më shumë se 7,840 oficerë policie që bashkëpunuan në 23 vende gjatë një periudhe kohore 48 orëshe për të kapur armë zjarri të paligjshme dhe për të identifikuar lidhjet e mundshme me aktivitete të tjera kriminale në të gjithë rajonin dhe më gjerë, përfshirë terrorizmin. Rreth 320 armë zjarri, duke përfshirë një raketë dhe një mitraloz, dhe rreth 20,000 fishekë municioni u gjetën, së bashku me granata dhe eksplozivë, thanë burimet zyrtare të Interpol.
Organizata INTERPOL tha se mes 47 arrestimeve për veprat e armëve të zjarrit autoritetet kroate kapën një armë që dyshohet se përdoreshin në një vrasje, ndërsa policia zvicerane arrestoi një pasagjer treni në posedim të një arme.
Një individ i dyshuar se i përket një grupi të krimit të organizuar euroaziatik u kap në Ukrainë.
Po sipas INTERPOL, gjatë operacionit, policia në Shkup arrestoi një person të kërkuar në mbarë botën nga autoritetet turke nën akuzat për drogë. Organizata europiane tha se më shumë se 40.200 automjete u kontrolluan gjatë operacionit në pikat e kalimit kufitar, rrugët e tranzitit dhe pikat e njohura si “të nxehta. Policia tha se bllokoi edhe 350 kg farë lulekuqe dhe 85 kg marijuanë.
Sipas Interpol vendet pjesëmarrëse vendosën zyrtarë në qendrat operacionale në Minsk, Pragë dhe Shkup.
Ndërkohë në Shqipëri prej disa muajsh, Policia e Shtetit po zhvillon një aksion në të gjithë vendin, duke mbledhur armët pa leje, të cilat dorëzohen vullnetarisht nga qytetarët. Armët janë kryesisht arsenal i mbetur që prej trazirave të vitit 1997, kur vendi u përfshi nga trazirat kaotike dhe repartet ushtarake në pjesë të ndryshme të vendit u bastisën.
Komisioni i Sigurisë së parlamentit shqiptar shqyrtoi pak ditë më parë një kërkesë që amnistia për dorëzimin vullnetar të armëve të shtyhet deri më 31 dhjetor të vitit 2017. Afati i mëparshëm i një amnistie të njoftuar dhjetorin e vitit të kaluar parashikonte përfundimin e afatit më 30 prill të këtij viti. Sipas autoriteteve shqiptare, rreth 1400 armë janë dorëzuar deri tani vullnetarisht në zona të ndryshme të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG