Lidhje

Kalaja e Irbilit dhe përpjekjet për restaurimin e saj


Kalaja e Irbilit në rajonin kurd të Irakut ka qëndruar prej muajsh e mbyllur. Tani kjo strukturë 8000 vjeçare dhe një ndër ndërtimet më të vjetra që vazhdon të përdoret për banim në botë, është rihapur për publikun ndërkohë që po bëhen përpjekje për restaurimin e saj. Por këto përpjekje duken të pashpresa përballë kostos së lartë të luftës kundër ISIS.

Kjo strukturë ka rëndësi globale, pasi ka shërbyer si djep i një tradite të lashtë që është zhvilluar në qytetin e Irbilit në Irak.

Pas një ndërprerjeje të shkurtër të aktivitetit në historinë e saj 8000 vjeçare, Kalaja e Irbilit është rihapur për publikun.

Rihapja pason një mbyllje të shkurtër në kuadër të një projekti restaurimi për këtë objekt që dikur strehonte mijëra vetë. Këto punime janë jetike për të rikthyer në jetë objektin, thotë Dara al-Yaqubi, i cili mbikqyr punimet:

“Populli i Irbilit e konsideron si kurorën e qytetit, prandaj është shumë kuptimplote për këtë shoqëri. Duhet të kujdesemi për këtë ndërtesë, ta riparojmë, ta rehabilitojmë në mënyrë që t’i rikthejmë kalasë jetën”.

Përpjekjet filluan në 2007 me zhvendosjen dhe kompensimin e refugjatëve që ishin vendosur në mjediset e kalasë pas shpërthimit të trazirave në rajon.

Trazirat vazhdojnë. Procesi i restaurimit është penguar nga mungesa e fondeve, të cilat tani po përdoren për luftën kundër Shtetit Islamik.

Ndërkaq, një ndër portat kryesore ende nuk është rihapur pas një riparimi të rëndësishëm. Vonesat kanë ndikuar tek planet e restaurimit dhe kanë dëmtuar pronarin e Muzeut të Tekstileve Kurde, Lolan Sipan.

Qindra turistë vizitonin këtë muze çdo ditë para fillimit të projektit, por numri është pakësuar shumë në vitet e fundit:

“Është për të ardhur keq. Kishim parashikuar që në fund të vitit 2014 dhe më pas në 2015 të kishim më shumë galeri, muzeume, kafene, restorante, por këto nuk u realizuan”, thotë Sipan.

Megjithatë ka shenja se pavarësisht nga problemet, një ditë kalasë do t’i rikthehen zhurma dhe turmat, ashtu si në qytetin dinamik mbi të cilin është ndërtuar. Vetëm pak javë më parë përfundoi një projekt për restaurimin e 14 shtëpive; synimi është që të riparohen rreth 200 banesa.

Vitin e kaluar kalaja u përfshi në listën e objekteve kulturore të mbrojtura nga UNESCO, e cila po ndihmon projektin e restaurimit.

Ka nga ata që thonë se dhuna që i ka shkaktuar ISIS njerëzimit dhe trashëgimisë kulturore e bën edhe më të rëndësishëm këtë projekt.

May Shaer, zyrtare e UNESCO-s që merret me projektin, thotë se restaurimi duhet parë në një kontekst më të gjerë:

“Kur kemi parasysh shkatërrimin e objekteve historike nga ISIS, bëhet edhe më urgjente nevoja për të mbrojtur trashëgiminë kulturore si mënyrë për të ruajtur identitetin e popullatës së një vendi dhe unitetin mes njerëzve”, thotë zyrtarja.

XS
SM
MD
LG