Lidhje

Izraeli i qëndron planit për vendbanime të reja


Britania dhe Franca shprehin mosaprovimin ndaj vendimit për ndërtime të reja në një rajon të debatueshëm pranë Jeruzalemit Lindor

Izraeli thotë se nuk do të kthejë mbrapsht një plan për zgjerimin e vendbanimeve që ka sjellë reagime të fuqishme ndërkombëtare.

Një zyrtar i kryeministrinë izraelite tha se Izraeli do të vazhdojë të mbështesë interesat e veta jetësore megjithë presionin ndërkombëtar. Ai tha se nuk do të ketë ndryshime në vendimet e marra.

Britania dhe Franca thirrën ambasadorin e Izraelit në vendet e tyre, për të shprehur mospëlqimin ndaj vendimit të Tel Avivit për të zhvilluar një rajon të debatueshëm pranë Jeruzalemit Lindor.

Presidenti francez Francois Hollande kritikoi planet për vendbanimet e reja izraelite si kundërthënëse ndaj planeve për paqe me palestinezët, por tha se Parisi nuk ishte gati të vendoste sanksione mbi shtetin hebraik. Izraeli ka autorizuar planifikimin për ndërtimin e 3 mijë banesave të reja hebraike në një zonë, e cila do ta lidhte Jeruzalemin Lindor me vendbanimin kryesor të Izraelit në Bregun Perëndimor.

Veprimi sotëm i Britanisë dhe i Francës pason thirrjet e mëparshme të të dy vendeve, si dhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s- Ban Ki Moon, që Izraeli të heqë dorë nga ky plan.

Zoti Ban tha se ky veprim i Izraelit thuajse “hedh në erë” shanset për vendosjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Në një deklaratë të publikuar dje, zoti Ban tha se mundësia e ndërtimit të mijëra banesave hebraike “rrezikon ta shkëpusë plotësisht” Jerusalemin Lindor nga Bregu Perëndimor.

Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të pavarur, i cili të përfshijë edhe Bregun Perëndimor. Izraeli i ka pushtuar të dyja këto rajone që në luftën e vitit 1967 dhe e konsideron Jeruzalemin Lindor si pjesë e një kryeqyteti të bashkuar izraelit.

Javën e kaluar Kombet e Bashkuara e ngritën statusin e Autoritetit Palestinez në atë të vendit vëzhgues jo-anëtar. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me 138 vota në favor, 9 kundër dhe 41 abstenime. Shtetet e Bashkuara votuan kundër ashtu si dhe Izraeli.
XS
SM
MD
LG