Lidhje

ISIS dhe pagesat për pengjet

  • Henry Ridgewell

Ndërkohë që udhëheqësit botërorë takohen në Paris për të formuluar një përgjigje të përbashkët ndaj rrezikut të militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ekzistojnë tensione në lidhje me politikat e ndryshme për çështjen e pagesave për pengjet. Gjatë muajit të fundit, grupi xhihadist ISIS u ka prerë kokat dy amerikanëve dhe një britaniku. Si Iraku edhe Siria refuzojnë të paguajnë për lirimin e pengjeve. Tek disa vende evropiane ka pasiguri se si duhet të veprojnë kur terroristët kërkojnë para për lirimin e pengjeve.

Alan Henning kishte ndërruar profesion, nga shofer taksie në punonjës ndihmash, dhe shkoi në Siri vitin e kaluar si pjesë e një organizate ndihmash. Ai u rrëmbye nga njerëz të armatosur të Shtetit Islamik pranë qytetit Idlib.

Henning shfaqet në videon e fundit të Shtetit Islamik të publikuar të dielën, ku tregohet ekzekutimi me prerje koke e britanikut David Haines, i cili ishte kërcënuar paraprakisht me të njëjtën mënyrë.

Këto zhvillime të zymta krijuan sfondin për një takim mbi Irakun të hënën në Paris. Gjatë një interviste, Ministrit të Jashtëm francez Laurent Fabius iu kërkua të komentonte ndaj pretendimeve se Franca i paguan organizatat terroriste për lirimin e pengjeve.

“Nuk mendoj se zoti Obama akuzoi Francën se ka paguar për lirim pengjesh. Sidoqoftë, mund t’ju konfirmoj se Franca nuk paguan haraç.”

Por, analistët thonë se ka prova që dëshmojnë të kundërtën. Media franceze pretendon se shteti ka paguar 34 milionë dollarë për lirimin e katër pengjeve franceze të rrëmbyer nga al-Kaida e Magrebit Islamik, në Niger, në vitin 2010. Eksperti për politikën e jashtme evropiane, Ian Bond, shpjegon.

“Ajo çfarë pamë me al-Kaidën në Magrebin Islamik është se ata bënë goxha biznes të mirë duke rrëmbyer turistë perëndimorë në vende si Nigeri dhe Mali, dhe duke marrë pagesa nga qeveri të Evropës. Ky është një fenomen shumë negativ.”

Shumica e vendeve perëndimore kanë paguar për lirim pengjesh në të shkuarën, thotë analisti Thomas Hegghammer.

“Asnjë vend nuk është i pafajshëm.Por disa vende evropiane e kanë bërë më shpesh.”

Viktima më e fundit e Shtetit Islamik, britaniku David Haines, u mor peng së bashku me një koleg italian, i cili u lirua gjatë këtij viti. U tha se ishte paguar një haraç – megjithëse qeveria italiane nuk komentoi. Qeveria britanike thotë se refuzon të paguajë për pengjet. Analisti Andrew Silke thotë:

“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është se nëse paguajnë për lirimin e një pengu, atëherë thjesht do të inkurajojnë grupe terroriste në mbarë botën të marrin peng shtetasit britanikë.”

Edhe Shtetet e Bashkuara thonë se refuzojnë të paguajnë për lirim pengjesh. Muajin e kaluar, Shteti Islamik i preu kokën James Foley-it, një gazetar amerikan i kapur në Siri. Punëdhënësja e tij, gazeta “Global Post”, u shpreh se Shteti Islamik kishte kërkuar 132 milionë dollarë për ta liruar. Pak ditë më vonë, kolegu i tij amerikan, gazetari Steven Sotloff pati të njëjtin fund.

Analistja për terrorizmin, Hannah Stuart, thotë se shumica e vendeve perëndimore nuk janë dakord për këtë çështje.

“Teorikisht duhet të kishim një konsensus që ndoshta demokracitë e Perëndimit - shënjestrat e kësaj lloj pengmarrjeje - të bien dakord që të mos paguajnë për pengje. Por, pastaj lind çështja e sovranitetit dhe nuk mund t’u thuhet qeverive të tjera si të mbrojnë qytetarët e tyre.”

Një vlerësim i Departamentit amerikan të Thesarit në vitin 2012 tregon se organizatat terroriste kanë përfituar 120 milionë dollarë nga pagesat për pengjet gjatë 8 viteve të fundit. Uashingtoni beson se megjithëse mund të shpëtohet një jetë duke paguar për një peng, kjo vetëm nxit një industri pengmarrjesh që mund të ketë rezultate të tmerrshme.

XS
SM
MD
LG