Lidhje

Izraeli për zgjerimin e vendbanimeve


Izraeli u ka kërkuar kontraktorëve të ndërtojnë pothuajse 1 mijë e 200 shtëpi të reja në territoret e pushtuara mbi të cilat kanë pretendim palestinezët, një lëvizje e debatueshme që erdhi tri ditë para rifillimit të planifikuar të bisedimeve izraelito-palestineze të paqes.

Ministri izraelit i strehimit Uri Ariel e dha miratimin përfundimtar për këtë lëvizje sot, duke shpallur tendera për rreth 800 apartamente në lagjet hebraike të Jeruzalemit Lindor dhe 400 të tjera në vendbanimet e Bregut Perëndimor.

Një zëdhënës i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu tha se kjo lëvizje nuk do të pengojë bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Ne po ndërtojmë në Jeruzalem dhe blloqet e mëdha dhe në çdo plan paqeje që është diskutuar në 15 vjetët e fundit, ato zona ishin parashikuar si pjesë e Izraelit dhe unë nuk e kuptoj dot sesi mund ta pengojë ndërtimi në këto zona përparimin e procesit të paqes”.

Palestinezët reaguan të indinjuar por nuk u tërhoqën nga bisedimet. Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat akuzoi Izraelin për një veprim që bie ndesh me mirëbesimin.

“Mendoj se njoftimi i qeverisë izraelite për ndërtimin e 800 njësive në Bregun Perëndimor dhe vendosja e gurit të themelit në Jabal al-Mukaber në Jeruzalemin lindor, jo vetëm që po saboton besimin e ndërsjellë por po paragjykon gjithashtu rezultatin e këtyre negociatave. Po e shkatërron zgjidhjen me dy shtete”.

Palestinezët kanë pretendime territoriale mbi Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor për një shtet të pavarur dhe thonë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite do ta bëjë më të vështirë realizimin e një objektivi të tillë.

Ndërkohë, Izraeli publikoi emrat e 26 të burgosurve palestinezë të cilin ka në plan t’i lirojë përpara bisedimet izraelito-palestineze të paqes të mërkurën.
Shumica e palestinezëve që do të lirohen janë burgosur në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990 për vrasje dhe tentativë vrasje dhe të dyshuar për bashkëpunim me Izraelin.

Të 26 të burgosurit janë parë nga 104 të burgosurve që Izraeli ka rënë dakord të lirojë në faza në varësi të ecurisë së bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG